2012-01-21 12:36:07

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit ‘B’ !


Dëgjues e lexues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë.
Tema kryesore e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj të diele është “THIRRJA e ZOTIT”, thirrja urgjente për t’u kthyer në rrugën e Hyjit e për të besuar në Të. Edhe këtë të diele kemi një skenë apo ngjarje të “thirrjes”, vokacionin e katër dishepujve të parë të Zotërisë Jezus (Mk 1,14-20), pikërisht si në Ungjillin që kemi dëgjuar e komentuar të Dielën e kaluar nga Gjoni (Gjn 1,35-42).
Kësaj here, theksi i tërë kremtimit liturgjik është vënë jo aq mbi “kuptimin” apo “domethënien” e thirrjes, sa mbi “urgjencën” e apelit të Krishtit për t’u “kthyer” e fituar shpëtimin: “Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill” (rr. 15). Në këto fjalë, në këtë thirrje të Jezusit kemi rastin që nuk do të propozohet më: nëse e anashkalohet, pra, nëse nuk pranohet kjo thirrje, njeriu e humbas përgjithmonë mundësinë për të ndryshuar, për t’u përmirësuar, për qenë më i lumtur, më i pasur, më i hapur ndaj dashurisë e ndaj jetës.
Kështu, leximet biblike të kësaj së diele të 3-të gjatë vitit kishtar, nënvizojnë vullnetin e madh që Zoti ka për të ndarë bashkë me ne të mirat e veta Hyjnore, për këtë Ai na thërret ta jetojmë këtë çast të thërije si dhe tërë jetën në përkim me vullnetin e Tij, duke iu përmbajtur udhës që na tregon e na propozon Fjala Hyjnore.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku, në mënyrë të thjeshtë e thelbësore, na ofron një sintezë të predikimit të parë të Jezusit. Tri fjalë, “koha”, “mbretëria” dhe “ungjilli”; e dy folje, “kthehuni” e “besoni”; gjithçka është e përmbledhur në këtë fjali të thjeshtë: “Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill”. E, sa pasuri e madhe, sa kuptim të thellë dhe sa pasoja kemi në këtë pohim, po të dinim t’i lidhnim këto shprehje themelore e të heshtja me atë që pason në historinë e dëftimit të Zotit!
Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë ta ndryshojmë mënyrën e të jetuarit e të sjelljes sonë. Që sot, duhet të fillojmë një jetë të re, një jetë sipas Ungjillit. Edhe ne, ta ndjekim Krishtin pas, siç bënë katër nxënësit e parë, pa hezitim, me gatishmëri të kthehemi tek Zotit e të ecim rrugës së Tij, për të qenë shenjë e besueshme e Lajmit të Mirë të Mbretërisë së Hyjit. Kjo e diel bie pak ditë para festës së kthimit të Shën Palit Apostull, i cili qe vegël e përhapjes së Ungjillit në botën mbarë, e kështu, liturgjia shenjte e kësaj së diele na fton të gjithëve, ta ndjekim Krishtin me entuziazëm e me guxim gjithnjë e më të madh.
Leximi i parë nga libri i Jonës (Jon3,1-5.10) flet për kthimin e banorëve të Ninivës nga sjelljet e vepra e tyre të këqija. Libri i Jonës na kujton se e keqja duhet çrrënjosur nga jeta. Hyji, përmes profetit, fton në pendesë e ofron faljen.
Leximi dytë nga Letra e parë e Shën Palit drejtuar Korintasve (1Kor 7.29-31) na thërret të jetojmë në perspektivën e Zotit, për ta njohur kështu përmasën e vërtetë e të thellë të jetës sonë.
Ungjilli nga Marku (Mk 1,14-20) na sjell fjalët e Jezusit: “Kthehuni e besoni në Ungjill!”. Pjesa ungjillore kësaj së diele na paraqet predikimin e parë të Zotërisë Jezus me ftesën e urgjencës së kthimit tonë që lindë nga afërsia e Mbretërisë së Zotit, e pranishme në vet personin e Jezusit.
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit, mund të dëgjoni këtu........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.