2012-01-20 18:05:46

Më 20 janar, Kisha përkujton shenjtorët Sebasatiani e Fabiani.


Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Sebastianin, martir. I lindur në Milano, jetoi më shumë në Romë, ku shkoi për të ngushëlluar të krishterët e persekutuar, duke punuar si oficer në Rojën Pretoriane. Si u zbulua se ishte i krishterë, u dënua me vdekje nga perandori Dioklecian, të cilit i shërbente. Për këtë qëllim u caktua pikërisht skuadra e shigjetarëve afrikanë, që komandonte, të cilët e qëlluan për vdekje me shigjeta, pasi e lidhën për një dru. Kështu paraqitet edhe në ikonografi.
Figura e Shenjtit, djalosh i ri, me trup të përkryer, është trajtuar shpesh ndër artet figurative, duke i dhuruar thesarit të kulturës botërore disa kryevepra në pikturë e skulpturë. Shën Sebastiani është edhe një nga figurat kryesore të romanit të famshëm "Fabiola ose Kisha e katakombave", shkruar nga kardinali Nicholas Wieseman më 1854, përkthyer shqip nga Imzot Vinçenc Prennushi.
Po sot Kisha kujtoi edhe Fabianin, viktimë e persekutimit të Decios në vitin 250.
Papë i Romës për 40 vjet (nga 10 janari i vitit 236 deri më 20 janarin e vitit 250), luajti një rol të dorës së parë për fuqizimin e Kishës. E ndau Romën në shtatë diakoni, për t’i ndihmuar më mirë të varfërit. Me të, figura e ipeshkvit të Romës fitoi një dinjitet aq të madh, sa ta shqetësonte seriozisht perandorin mendjemadh, Decion, i cili nuk mund të pranonte që një njeri tjetër, aq më tepër Kryebariu i të krishterëve, armiq të perandorisë, të gëzonte një famë shumë më të madhe, se ai vetë. Burim krimesh gjithnjë, mendjemadhësia e njerëzve të pushtetshëm, që duan të shtypin nën thundrën e tyre të hekurt mbarë njerëzimin. Pikërisht kjo e nxiti Decion t’u sulej të të krishterëve, duke nisur nga Fabiani papë.
I detyroi, prandaj, të gjithë nënshtetasit të flijonin solemnisht e publikisht para perendive pagane tradicionale. Kush flijonte, merrte një çertifikatë, si ndjekës i kulteve të lashta. Kush guxonte t’i kundërvihej kësaj kërkese, konsiderohej armik i shtetit, nxirrej jasht ligji e vihej në pranga.
Ndër të parët, që nuk pranuan të flijonin për nder të perëndive pagane dhe shpallën, publikisht e solemnisht, se janë ndjekës të Krishtit, ishte Fabiani papë.Decio nuk e flaku në cirk, për të luftuar me bishat, as e gjuajti me shigjeta, si Sebastianin. Kishte frikë nga populli, i cili, në raste të tilla, mund të ngrinte krye, deri në rrëzimin e perandorit. E la, prandaj, të vdiste dalëngadalë, nga etja, uria e të ftohtit, në qelitë pa dritë e pa ajër, të burgjeve të tmerrshme romake të atyre viteve të largëta, që ruhen deri më sot, për t’u treguar breznive të reja se martirizimi e shenjtëria nuk janë përralla të moçme, por një e vërtetë, sa e errët, aq edhe e ndritshme, që vijon të përsëritet në shekuj. Mozaiku i historisë së njerëzimit është plot me dritë-hije!







All the contents on this site are copyrighted ©.