2012-01-20 18:04:16

Jeni dhuratë e Shpirtit Shenjt për kohën tonë: kështu Papa neokatekumenalëve


Kisha e njeh Ecjen Neokatekumenale si dhuratë të veçantë të Shpirtit Shenjt për njerëzit e kohës sonë: kështu u tha sot Papa Benedikti XVI, 7 mijë anëtarëve të kësaj Lëvizjeje kishtare, të cilët i priti në Vatikan. Gjatë audiencës, u lexua dhe iu dorëzua nekatekumenalëve, Dekreti, i cili “miraton të gjitha kremtimet, që përmbahen në udhëzuesin katekistik të Ecjes Neokatekumenale, ndonëse nuk rezultojnë në normat e Librave liturgjikë të Kishës”. Ati i Shenjtë dërgoi edhe 17 misione të reja “ad gentes” në të gjithë botën.
Benedikti XVI theksoi se kremtimi i meshëve të veçanta për bashkësinë neokatekumenale nuk duhet të sjellë ndarje në Kishë:
“Me qëllim që të favorizohet afrimi në jetën sakramentore i njerëzve të larguar nga Kisha, ose i atyre që nuk kanë formimin e duhur, neokatekumenalët mund ta kremtojnë liturgjinë e së dielës në bashkësitë e vogla, pas Lutjeve të para mbrëmësore, sipas dispozitave të ipeshkvit dioqezan… Në të njëjtën kohë, pjekuria gjithnjë e më e madhe në fe e individit dhe e bashkësisë së vogël duhet të favorizojë pjesëmarrjen në jetën e bashkësisë së madhe kishtare, kremtimi liturgjik i së cilës bëhet në formën e zakonshme në famullinë, ku veprojnë neokatekumenalët”.
Rruga e neokatekumenalëve pra, nënvizoi Papa, duke cituar Koncilin II të Vatikanit, duhet t’i çojë besimtarët drejt bashkësisë së krishterë e jo t’i ndajë nga ajo.







All the contents on this site are copyrighted ©.