2012-01-20 18:55:18

Imzot Farrell: rikthimi në bashkimin e të krishterëve, shtegtim i ngadalshëm, por i frytshëm.


Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve sivjet frymëzohet nga fraza, shkëputur prej Letrës I të Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve: “Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zotit tonë”. Për këtë temë flet, në mikrofonin tonë, imzot Brian Farrell, sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve:

Përgjigje: - Çdo vit tema zgjidhet nga një grup ekumenik i një vendi të veçantë. Sivjet punuam me një grup nga Polonia. Historia e Polonisë është plot me pushtime, beteja, me vështirësi e edhe me kapërcimin e këtyre vështirësive. Prandaj të kujton vetvetiu idenë e fitores, e sidomos, të fitores së përfundimtare, fitores së Krishtit mbi vdekjen e mbi mëkatin. Por, duke folur për unitetin e të krishterëve, jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se përçarjet janë fryt i mëkatit e se vetëm hiri i Krishtit, së bashku me frymëzimin e Shpirtit Shenjt, mund t’i ndihmojë të krishterët t’i kapërcejnë përçarjet e thella, që na la trashëgim historia e së kaluarës. Gjithsesi, ideja themelore e teksteve përgatitur për këtë Javë lutjeje, të ngjall besimin e patundur në forcën shndërruese të hirit të Krishtit, dëshira e të cilit është që gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme.

Pyetje: - Në këtë këndvështrim, cilat janë shpresat për të ardhmen?

Përgjigje: - Kur shikojmë rezultatet e dialogut, na duket se nuk janë bërë shumë hapa përpara, por pikërisht dialogu na mundëson të thellohemi në vështirësitë, që duhen kapërcyer; në problemet, që duhen zgjidhur. E këtë duhet ta bëjmë së bashku. Përsa u përket marrëdhënieve me vëllezërit e Kishave e të Bashkësive të tjera, mund të them se Dita e lutjes dhe e reflektimit për paqen e drejtësinë në Botë, kremtuar në Asizi tetorin e kaluar, ishte një provë e shkëlqyer e faktit se bota ekumenike ecën përpara. Patëm një përgjigje vërtet të shumënumërt përsa u përket delegacioneve, që dërguan kishat e tjera: 30 ishin vetëm delegacionet e krishtera. Kjo është shenjë e qartë. Tregon se bota ekumenike, që shumkujt mund t’i duket e vështirë e pa fryt, jep fryte të begata. Fryte, që janë në mendjet, në zemrat, në sjelljen e në bindjen e njerëzve. Besoj se marrëdhëniet ekumenike, mbi të gjitha, po prodhojnë frytin e madh të vëllazërisë; fryt ky që e shikon gjithë bota.









All the contents on this site are copyrighted ©.