Të kapërcehen ndarjet për çështjet etike: kështu Papa para delegacionit të Kishës
Luterane të Finlandës
“Miqësia jonë e thellë e dëshmia e përbashkët për mësimet e Krishtit qoftë nxitje
për zgjidhjen e problemeve”: ky ishte urimi i Papës Benedikti XVI në takimin me delegacionin
ekumenik të Kishës Luterane të Finlandës, për shtegtim në Romë, me rastin e Festës
së shën Henrikut, Pajtor i vendit skandinav. Duke pasur parasysh se jemi në Javën
e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Papa u foli atyre për ekumenizmin dhe hapat
e tij: “Kohët e fundit, çështjet etike po bëhen një nga arsyet e ndryshimeve
ndërmjet të krishterëve, sidomos përsa i përket kuptimit të natyrës njerëzore e të
dinjitetit të saj. Është e nevojshme që të krishterët të merren vesh mirë për tematikat
antropologjike. Kjo mund ta ndihmojë shoqërinë dhe politikanët të marrin vendime të
urta e të përshtatshme për çështje të rëndësishme, si jeta njerëzore, familja, seksualiteti”. Dëshmia
në botën e sotme, vazhdoi Papa, shpesh, nuk është ajo, që nevojitet. Ati i Shenjtë
uroi të praktikohen publikisht virtytet e krishtera e ato të shenjtërisë. Kujtoi se
në takimin e fundit ekumenik dypalësh ndërmjet finlandezëve dhe suedezëve, u nënvizua
urgjenca e imitimit të Krishtit në jetën e në veprimtarinë e përditshme. Është e vështirë,
pranoi Benedikti XVI, por nuk mund të mos kemi besim në fuqinë e Shpirtit Shenjt: “Vizita
vjetore e delegacionit ekumenik nga Finlanda dëshmon bashkimin ndërmjet traditave
të krishtera në Finlandë dhe tregon shpresën, që ky bashkim të vazhdojë të forcohet,
duke sjellë fryte ndër katolikë, luteranë e konfesione të tjera të krishtera”. Rruga
drejt bashkimit të të krishterëve, tha në fund Ati i Shenjtë, duke përmendur shembullin
e shenjtorëve dhe durimin e Abrahamit, kërkon të presim me durim e fe, duke besuar
thellësisht se uniteti i të gjithë të krishterëve në një Kishë të vetme është vërtet
dhuratë e Zotit e jo sukses i yni. Të lutemi pra, plot shpresë, jo sipas planeve tona,
por sipas atyre të Hyjit të Gjithpushtetshëm.