2012-01-19 14:22:57

Senegal: Imzot Mambertì në Senegal, për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë.


Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Senegalit e Selisë së Shenjtë bazohen mbi dialogun ndërmjet kulturave e feve. E ky dialog jep ndihmesën e vet të çmuar për zgjidhjen e konflikteve, që kërcënojnë stabilitetin në botë. Këtë pohoi imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet i cili, që të shtunën e kaluar ndodhet në Senegal, për të marrë pjesë në kremtimet e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të vendit afrikan me Selinë Apostolike. Sekretari vatikanas shprehu kënaqësinë për vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare të Senegalit, vlera që krijuan mundësitë për bashkëpunimin e frytshëm 50 vjeçar.
I pritur nga autoritetet më të larta shtetërore në vend, prelati i lartë foli për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vendit afrikan në luftë kundër fanatizmit dhe ekstremizmit, duke i parë fetë jo si burim dhune, por si faktor paqeje, pajtimi e drejtësie. E kjo ndikon edhe mbi ekonominë e vendit, të cilin e ndihmon të dalë nga prapambetja e të ecë në rrugën e zhvillimit të plotë.
Sekretari vatikanas për Marrëdhënie me Shtetet deklaroi edhe se Selia e Shenjtë e shikon këtë vizitë në Senegal, si rast të përshtatshëm për promovimin e vlerave të Kontinentit afrikan si dhe për mbështetjen e gjithë atyre, që punojnë për paqen. Prej këndej, imzot Mambertì shpjegoi se Selia Apostolike i shikon me shpresë përpjekjet pozitive, që po bën Afrika, posaçërisht në fushën e zhvillimit. Ndërsa i ndjek me trishtim, shtoi prelati, problemet që minojnë stabilitetin, sidomos luftërat për shkaqe fetare, ndërsa feja duhet të jetë gjithnjë faktor paqeje e pajtimi, siç është në Senegal.
Gjatë takimit me prelatin vatikanas, Ministri i Jashtëm senegalez njoftoi se vendi afrikan është i gatshëm ta presë Benediktin XVI, me besim të plotë se një vizitë e tillë do të ketë ndikim shumë pozitiv për vendin.
Të dielën e kaluar imzot Mambertì bashkëkremtoi, me kardinalin Theodor Adrien Sarr, kryeipeshkëv i Dakarit; me nuncin apostolik në vend, imzot Lui Montemaior dhe me shumë përfaqësues të klerit senegalez, Meshën shenjte në Katedralen e Kujtimit të Dakarit. Të pranishëm, autoritetet më të larta politike.
Imzot Mambertì shpjegoi se marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Senegalit, vendosur që më 1961, bazohen jo vetëm mbi një miqësi të fortë, por edhe mbi interesin e përbashkët për zgjidhjen e problemeve, që trondisin botën, si dhe mbi dialogun, për të parandaluar konfliktet, që kërcënojnë Afrikën e botën. Kujtoi edhe rëndësinë e impenjimit të Senegalit për mbështetjen e parimeve të laicitetit, gjë që ndihmon fuqimisht në respektimin e vlerave të bashkësive të ndryshme fetare, në shërbim të mirëqenies së përgjithshme. Duke iu drejtuar prelatit vatikanas, kardinali Sarr, në emër të popullit senegalez, vlerësoi lart impenjmin e Selisë së Shenjtë për paqen në botë, në Afrikë e në Senegal.







All the contents on this site are copyrighted ©.