2012-01-19 15:15:31

Papa ipeshkvijve të SHBA-ve: kërcënime të rënda nga shekullarizmi radikal. Duhen katolikë të impenjuar


Sfidat shpirtërore e kulturore të ungjillëzimit të ri, në reflektimin e Papës, që sot priti grupin e dytë të ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvnore Amerikane, për vizitë “ad Limina” në Vatikan.
Kisha në SHBA-të, theksoi Benedikti XVI, duhet të ketë rol themelor në kundërshtimin e rrymave individualiste, të cilat mbrojnë idenë e një lirie të shkëputur nga e vërteta morale. Këndvështrimi mbi botën në këtë vend, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, është formuar jo vetëm nga feja, por edhe nga impenjimi për parimet etike, që rrjedhin nga natyra e nga Zoti. Por rrymat aktuale kulturore, jo vetëm predikojnë krejtësisht në kundërshtim me moralin e traditës judeo-kristiane, por janë gjithnjë e më tepër kundër krishterimit, si i tillë. Kisha predikon Ungjillin, i cili, jo vetëm propozon të vërteta morale të pandryshueshme, por i konsideron si çelës për lumturinë e begatinë e njeriut:
“Në masën me të cilën, disa prirje aktuale kulturore përmbajnë elemente, që mund ta reduktojnë shpalljen e këtyre të vërtetave, duke i mbyllur në kufijtë e arsyetimit thjesht shkencor, ose duke i eliminuar në emër të pushtetit politik, apo të parimit të shumicës, ato përfaqësojnë kërcënim jo vetëm për fenë e krishterë, por edhe për vetë njerëzimin, për të vërtetat më të thella të qenies sonë e të thirrjes sonë të fundme, marrëdhënieve me Zotin”.
Kur kultura përpiqet ta zhdukë përmasën e misterit të fundëm, duke u mbyllur portat të vërtetave transhendentale, i hap dyert totalitarizmit, sqaroi Benedikti XVI, duke cituar të Lumin Gjon Pali II. Por tradita e krishterë nuk flet për fe të verbër, vazhdoi Papa. Ajo bazohet në impenjimin për ndërtimin e një shoqërie vërtet të drejtë e humane:
“Mbrojtja që i bën Kisha arsyes morale, të themeluar mbi ligjin natyror, bazohet në bindjen se ky ligj nuk është kërcënim për lirinë tonë, por ‘gjuhë’, që na lejon ta kuptojmë vetveten dhe të vërtetat e qenies sonë, për të krijuar një botë më të drejtë e më njerëzore”.
Mësimet e Kishës, theksoi Ati i Shenjtë, nuk janë kufizim për njeriun, por çlirim. Për këtë arsye, dëshmia e saj është publike. Ekziston ndarja ndërmjet shtetit e Kishës, por kjo nuk do të thotë që Kisha të heshtë për çështje të caktuara e se shteti nuk duhet të impenjohet para besimtarëve, për mbrojtjen e vlerave, në të cilat ata besojnë. Benedikti XVI i këshilloi ipeshkvijtë ta luftojnë në të gjitha fushat këtë shekullarizëm radikal në gjirin e shoqërisë amerikane:
“Shumë prej jush nënvizuan se janë bërë përpjekje të organizuara për ta mohuar të drejtën e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes… përsa u përket praktikave të papranueshme për moralin e krishterë… Më thanë për prirjen shqetësuese të reduktimit të lirisë së fesë, thjesht në lirinë e kultit, pa garanci për respektimin e lirisë së ndërgjegjes”.
Prej këndej, lind nevoja e impenjimit të guximshëm të laikëve katolikë në debatin publik për të ardhmen e shoqërisë amerikane. Kisha duhet t’i përgatisë e t’i formojë ata. Këtu Papa përmendi punën e ipeshkvijve të SHBA-ve për të mbajtur lidhjet me katolikët e impenjuar në politikë, për t’u kujtuar atyre përgjegjësinë në dhënien e dëshmisë së fesë, sidomos për çështjet morale të kohës sonë. Duhen mobilizuar, përfundoi Papa, të gjitha burimet intelektuale e morale të bashkësisë katolike për ungjillëzimin e ri të kulturës amerikane e për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.