Nuk është e lehtë të flitet për jetën e martires romake, ndonëse për të kemi një mori
dokumentesh të lashta. E kjo, sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken
sikur flasin për të, t’i përkasin tri martireve të ndryshme: asaj vetë, Priskës gruas
së Akuilës, të cilën e kujton Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të
njëjtin emër, që nuk përmendet më në kalendaret kishtare. Nga Aktet e martirizimit
të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin
Klaudi (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Më pas reliket e
saj u mbartën në Aventin. Sipas gojëdhënës ajo qe nxënsja e parë e Shën Pjetrit
apostull, që e dëshmoi fenë e vet me martirizim. Sidoqoftë sot Kisha e nderon
Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si
themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar
mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit
jashtë mureve të Romës. Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë
ndërmjet antikiteteve të shumta romake, lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe
të shekullit II, gjë që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë
qenë shtëpia e Vashës romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.