2012-01-18 19:22:24

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve dhe Koncili II Ekumenik i Vatikanit


Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve i ka rrënjët në orientimet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, i cili hapi rrugën e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet vëllezërve të së njëjtës fe, kudo në botë. Ipeshkvi i nderit i Ivreas, imzot Luigji Betaci është dëshmitar i drejtpërdrejtë i tij. Prelatin, tashmë 89 vjeçar, e ftuam në mikrofonin tonë për ta pyetur cili është kontributi i Koncilit në rrugën e bashkimit të të krishterëve e ç’rëndësi kanë nisma si kjo e Javës së Lutjes:
Janë iniciativa të rëndësishme, fryt i Koncilit. Para tij, vërehej fort saktësia e ortodoksisë së fesë: kush nuk ishte i saktë, si ne, konsiderohej “i përjashtuar”. Më kujtohet, se aso kohe, të shkoje në një kishë protestante, dukej gati si mëkat mortar. Koncili na thotë të mendojmë se të gjithë jemi në rrugë: ata që bashkëndajnë me ne fenë në Jezu Krishtin, Pagëzimin, Fjalën e Zotit janë pranë nesh në këtë rrugë, megjithëse nuk marrin pjesë në tërësinë e së vërtetës. Por rrugën duhet ta bëjmë së bashku, për të sjellë paqen e Zotit në botë. Paqja është dhuratë e Hyjit e për të duhet të lutemi. Nisma e lutjes për bashkimin e të krishterëve përfaqëson pikërisht faktin se Kisha, sidomos pas Koncilit, e pranon se e ka për detyrë të marrë pjesë, të lutet me të gjithë ata, që besojnë në Krishtin, me të gjithë ata, që kanë fe, për t’i kërkuar Zotit hirin e bashkimit gjithnjë e më të madh, hirin për t’i shndërruar besimtarët në bartës të paqes në botë. Të jesh bartës i paqes, sidomos për kombet më të pasura e më të fuqishme, nganjëherë, do të thotë të dish të heqësh dorë nga diçka, për ta vënë në shërbim të më të varfërve.
Ju jeni dëshmitar i privilegjuar i Koncilit II të Vatikanit. Cila është përvoja juaj si atë konciliar?
Unë mora pjesë në sesionin e dytë. Kjo më ndihmoi të kuptoja ndryshimet me të parin, të cilin e kisha ndjekur nga jashtë. Dukej sikur diskutimet ishin formale, sikur nuk kishte shumë shpresë. U shugurova ipeshkëv më 1963, pastaj kam qenë ipeshkëv ndihmës i kardinalit Xhakomo Lerkaro të Bolonjës, i cili sapo ishte caktuar si njëri nga katër moderatorët. Kishte ndihmës don Xhuzepe Dosetin. Kur fillova të marr pjesë në Koncil, pashë ipeshkvij afrikanë, latinoamerikanë, aziatikë. Ndihej vërtet universaliteti i Kishës e dëshira e të gjithëve për përtëritje, përtej këndvështrimeve personale.
50 vjet pas Koncilit, a mund të na thoni, cili është kontributi i tij në rrugën drejt bashkimit të të krishterëve?
Ekumenizmi ka hapur shumë rrugë, edhe përmes Koncilit. Mendoj se ai e nxiti atë, për shembull, edhe për vetë faktin se ishin të pranishëm “vëllezër të ndarë” (siç thuhej atëherë), por që dëgjonin e jepnin kontributin e tyre. Takimet e Asizit, të filluara nga i Lumi Gjon Pali II, nuk do të kishin qenë të mundura para Koncilit. E vetëm pak muaj më parë, në to mori pjesë edhe Papa Benedikti XVI, i cili ftoi të gjithë njerëzit vullnetmirë, edhe ata që paraqiten si jo besimtarë, sepse të gjithë mund e duhet të japin kontributin e tyre për paqen në botë.
A ka ndonjë çast, apo episod të Koncilit, që e kujtoni në mënyrë të veçantë?
Kujtoj përpjekjet e Papës Pali VI që edhe pakica, ata 500 ipeshkvij të lidhur me traditën, që ngurronin para ndryshimeve, të mund të votonin pro dokumenteve. Kjo e bënte të vuante shumicën, e cila shihte se në tekste përfshiheshin sfumatura. Tani, pas kaq kohësh, duhet ta falenderojmë Palin VI, pasi, nëse dokumentet do të ishin miratuar me 500 vota kundër, diskutimet mbi to nuk do të kishin fund. Kushtetutat e mëdha të Koncilit kanë pasur shtatë, ose tetë vota kundër e 2.500 në favor, pra, mund të themi se janë miratuar njëzëri nga krejt Kisha Katolike.
Pikërisht më 11 tetor të këtij viti, në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, do të fillojë Viti i Fesë, shpallur nga Papa Benedikti XVI. Cili është urimi juaj për të?
Urimi im është që Viti i Fesë të mos jetë abstrakt, por gjatë tij, të përjetohet feja, ashtu siç e konceptoi, e orientoi dhe e nxiti Koncili II i Vatikanit. Le të jetë pra një rigjallërim i mesazhit të Koncilit, që Papa Gjoni XXIII e pati paraqitur si “Rrëshajët e kohës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.