2012-01-17 15:33:54

Veprimtari në 544-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu


E gjithë bota shqiptare përkujtoi sot Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në 544 vjetorin e vdekjes. Ambasadat e Republikës së Shqipërisë, ajo pranë Italisë dhe ajo pranë Selisë së Shenjtë, dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë organizuan ceremoninë tradicionale të përvitshme, në orën 12.30, në sheshin “Albania”, ku ngrihet shtatorja e luftëtarit antiosman, ashtu si në sheshin Skënderbej të Tiranës e në qytete të tjera të botës. Morën pjesë emigrantë të shumtë nga trevat shqiptare, që jetojnë e punojnë në kryeqytetin italian.
Skënderbeu është kujtuar, siç është e natyrshme, edhe në territoret shqiptare, si në kalanë e Krujës, janë bërë homazhe në varrin e tij në Lezhë, veprimtari në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të Kosovës e të Maqedonisë. Kjo ditë është zgjedhur edhe për të filluar zyrtarisht vitin kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në Tiranë u mbajt një seancë e posaçme e Kuvendit, në praninë jo vetëm të deputetëve të Shqipërisë, por edhe të parlamentarëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Të pranishmit i përshëndeti kryeministri Sali Berisha. Po sot, edhe në Shkup, u hapën veprimtaritë e këtij jubileu të rëndësishëm, me vendosjen e gurthemelit të sheshit “Skënderbeu” në Çarshinë e vjetër të kryeqytetit të Maqedonisë e me vënien e kurorave pranë përmendores së Gjergj Kastriotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.