2012-01-17 14:03:18

Shna’ Ndou abat: bekohen kafshët shtëpiake në Shën Pjetër


Kisha Katolike përkujtoi sot shën Andoun, abat, atin e të gjitha urdhërave murgare, që njihet si Pajtor i kafshëve shtëpiake. Siç është bërë tashmë traditë, edhe këtë vit, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, mëkëmbësi i Papës për Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri, bekoi kafshët e sjella nga blegtorët italianë. Vërtet, Shoqata Italiane e Blegtorëve deshi që kjo festë të përkonte me “Ditën e Blegtorit”.
Sheshi i Shën Pjetrit u shndërrua kështu në një stallë në qiell të hapur, me gardhe, brenda të cilave, për harenë e nxënësve të shkollave, që kishin ardhur të merrnin pjesë në kremtim, mund të shiheshin lopë racash të ndryshme, dema, derra, dele e dhi, pata, pula e lepuj, por edhe kuajt e qentë e Policisë, së Karabinierëve e të Rojes së Financës. Kalorësit e këtyre Armëve të shtetit italian ishin veshur me uniformat e tyre historike. Kardinal Komastri e kremtoi Meshën për blegtorët e familjet e tyre brenda Bazilikës së Vatikanit, për të vazhduar pastaj me bekimin e kafshëve shtëpiake, në sheshin e Shën Pjetrit. Të pranishëm edhe shumë qytetarë romakë, që kishin sjellë me vetë qentë e macet e tyre.
Lindur në Koma të Egjiptit, në vitin 250, shën Andou hoqi dorë nga pasuria e tij në moshën 20 vjeçare, për të jetuar në vetmi në shkretëtirë, ku u bëri ballë tundimeve të Djallit të Mallkuar. Dy herë u largua nga jeta prej oshënari për të shkuar në Aleksandri, ku ishte e nevojshme t’u jepte zemër të krishterëve të persekutuar nga Maksimin Daja e t’i nxiste të ndiqnin rregullat e vendosura nga Koncili i Nikesë. Shën Andou vdiq më 17 janar të vitit 357, kur ishte më shumë se 100 vjeç.








All the contents on this site are copyrighted ©.