2012-01-17 15:35:55

Ligji për blasfeminë në Pakistan: 161 të akuzuar e 9 të ekzekutuar gjatë vitit 2011


Rritet vazhdimisht në Pakistan numri i viktimave të ligjit për blasfeminë, ndërsa pakicat fetare pësojnë keqtrajtime nga ekstremistët. Në raportin e agjensisë kishtare Fides për vitin 2011 vihet në dukje se për shkak të të ashtuquajturit “ligji i zi”, janë akuzuar 161 vetë e janë ekzekutuar pa proces, 9 të tjerë. Akuzat, deklaron një avokat mysliman, duke kërkuar të mos i përmendet emri, janë të gënjeshtërta në 95% të rasteve.
Sipas organizatës kontinentale për të drejtat e njeriut “Asian Human Rights Commission”, Pakistani nuk është në gjendje të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut për popullin e vet. Gjatë vitit 2011, organizata ka dokumentuar vrasjen e 18 veprimtarëve për të drejtat e njeriut e të 16 gazetarëve, të impenjuar në denoncimin e të këqiave të shoqërisë, të korrupsionit e të ekstremizmit islamik. Vihen në dukje vrasjet e personaliteteve të larta, si guvernatori i Punxhabit, Salman Taseer dhe ministri federal për Pakicat, katoliku Shabhaz Bhatti, me urdhër të grupeve ekstremiste fetare, të infiltruara në forcat e rendit.
“Shteti – nënvizon organizata – ka qenë spektator i heshtur i këtyre vrasjeve”. Amullia e autoriteteve ka favorizuar edhe kthimin në fenë islame të vajzave nga pakicat e krishtera e hinduiste. Gjatë vitit 2011, kjo ka ndodhur, nëpërmjet rrëmbimit e përdhunimit, për 1.800 vajza. Në raport, përmenden edhe rreth 100 të vdekur për shkak të hakmarrjes, rritja e dhunës sektare në Karaçi, me 1800 viktima e në Belukistan, me 225 viktima e 6 mijë të zhdukur.








All the contents on this site are copyrighted ©.