2012-01-16 18:04:54

Papa në Engjëllin e Tënzot: emigrantët nuk janë numra, por njerëz, që kërkojnë një vend ku të jetojnë në paqe.


“Emigrantët nuk janë numra, por njerëz, në kërkim të një vendi, ku mund të jetojnë në paqe”. Në të Dielën II të Kohës së Zakonshme gjatë vitit kishtar, e në përkim me Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, dje, në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI u lut për burrat, gratë, fëmijët, të rinjtë e pleqtë, protagonistë të kumtimit të Ungjillit të Krishtit në shoqërinë bashkëkohore. Papa kujtoi edhe se kjo javë, që sapo filloi, i kushtohet lutjes për bashkimin e të krishterëve e, në përfundim, i përshëndeti besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në gjuhët kryesore të botës.RealAudioMP3

Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i ftoi të gjithë besimtarët të jenë dëshmitarë të vërtetë të Ungjillit, përhapës të Lajmit të Mirë, përkrah me refugjatët e emigrantët, e ta jetojnë konkretisht solidaritetin e krishterë, jo vetëm me fjalë, por kryesisht, me vepra. Duke kujtuar se dje kremtohej Dita e 98-të Botërore e Emigrantit dhe e Refugjatit, Papa theksoi:
Miliona njerëz përfshihen sot në fenomenin e emigracionit, por ata nuk janë thjesht numra. Janë burra e gra, fëmijë, të rinj e pleq, që kërkojnë një vend, ku të jetojnë në paqe. Në mesazhin tim për këtë Ditë, tërhoqa vëmendjen mbi temën “Emigrimi dhe ungjillëzimi i ri”, duke nënvizuar se emigrantët janë jo vetëm marrës, por edhe protagonistë të kumtimit të Ungjillit në botën bashkëkohore”.
Papa i nxiti besimtarët t’i kuptojnë më mirë nevojat e emigrantëve e të refugjatëve, e posaçërisht, dëshirën e tyre për të takuar Zotin. I ftoi edhe të luten për të gjithë njerëzit, që jetojnë në dhe të huaj. Më pas përshëndeti përfaqësuesit e bashkësisë së mërgimtarëve të Romës, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe bekoi në mënyrë të posaçme polakët, që jetojnë jashtë atdheut. Papa kujtoi se nga 18 deri më 25 janar do të kremtohet Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Prej këndej, i porositi të krishterët të luten për arritjen e shpejtë e të plotë të këtij bashkimi:
“I ftoj të gjithë, besimtarë e bashkësi, të mblidhen shpirtërisht e, ku është e mundur, edhe praktikisht, për t’i lypur Zotit dhuratën e bashkimit të plotë ndërmjet dishepujve të Krishtit”.
Më pas Papa reflektoi mbi temën e thirrjes, që theksohej në Leximet e djeshme biblike. Në Ungjill, shpjegoi Benedikti XVI, ndjekim Jezusin në çastet kur u bën thirrje dishepujve të parë për të ecur në gjurmët e tij; ndërsa në Leximin e parë, dëgjojmë thirrjen e Samuelit profet. Në të dy leximet, vihet theksi mbi figurën e ndërmjetësuesit, që i ndihmon njerëzit e thirrur ta njohin zërin e Zotit e ta ndjekin. Në rastin e Samuelit, shpjegoi Papa, këtë rol e luan Eli, prifti i tempullit të Silo-s. Ndërsa në rastin e dishepujve të Jezusit, figura ndërmjetësuese është Gjon Pagëzuesi. Nënvizoi, kështu, rolin vendimtar të udhëheqësit shpirtëror në rrugën e fesë e, posaçërisht, në përgjigjen ndaj thirrjes për ta vënë gjithë jetën në shërbim të Zotit e të popullit të Tij:
“Vetë feja e krishterë, të kujton menjëherë kumtimin e dëshminë: ajo kërkon ta pranosh lajmin e mirë se Jezusi i Nazaretit vdiq e u ngjall, se Krishti është Zot. E kështu, edhe thirrja për ta ndjekur Jezusin më nga afër, duke hequr dorë nga formimi i familjes së vogël, për të hyrë në familjen e madhe të Kishës, normalisht kalon përmes dëshmisë dhe propozimit të një vëllai më të madh, zakonisht, meshtar. Pa harruar edhe rolin themelor të prindërve, të cilët me fenë e tyre të vërtetë e të gëzueshme, si dhe me dashurinë e tyre bashkëshortore, u tregojnë fëmijëve se është gjë e bukur dhe e mundshme ta ngresh gjithë jetën mbi dashurinë e Zotit”.
Papa e luti Virgjërën Mari për të gjithë edukatorët, posaçërisht për meshtarët e prindërit, që të jenë plotësisht të vetëdijshëm lidhur me rëndësinë e rolit të tyre shpirtëror e t’i ndihmojnë të rinjtë jo vetëm të rriten si njerëz, por edhe t’i përgjigjen Zotit, kur i thërret. Më pas shpjegoi se krishterimi ynë nuk bazohet mbi një teori të thatë, së cilës i ka kaluar koha. Të jesh i krishterë, vijoi, do të thotë të takosh Krishtin, që është i gjallë, që na thërret. Sa më shumë t’i afrohemi Jezu Krishtit, aq më tepër do të jemi plot me dashurinë e me jetën e Tij. T’ia përcjellim, pra, edhe të afërmit tonë këtë entuziazëm, që buron nga prania e Zotit në zemrat tona. Është Ai, që e bën jetën tonë të ndritshme e të lume.







All the contents on this site are copyrighted ©.