2012-01-16 15:49:38

Kriza në Evropë. Goti Tedeski: pushteti ekonomik është transferuar në Lindje, Perëndimi të rifitojë aftësinë e konkurrencës


Deklasimi i borxhit të shumë vendeve evropiane, ndër të cilat Franca, Italia e Spanja, vendosur nga agjensia “Standard & Poor’s”, i ka alarmuar qeveritë e kontinentit të vjetër. Por ç’po ndodh në Evropë? Përgjigjet në mikrofonin tonë, presidenti i Institutit për Veprat Fetare në Vatikan, Etore Goti Tedeski:
Përgjigjia ime është shumë e thjeshtë: jemi para një rendi të ri botëror, pushteti ekonomik i të cilit është transferuar nga Perëndimi në Lindje. Është e qartë se Evropa, ashtu si SHBA-të, po e vuan këtë. Nuk është “K.O.” (Nokaut) si Evropa politike, por nga pikpamja ekonomike, ka vështirësi të mëdha.
Këto ditë, janë bërë shumë komente për klasifikimin e agjensisë “Standard & Poor’s”, me kritika të shumta për vlerësimin e dhënë. Si mendoni ju?
Ç’lloj vlerësimi mund të japin agjensitë e sistemit perëndimor, i cili, gjatë 25 vjetëve të fundit, e ka ndarë botën më dysh, duke mbajtur në Perëndim zonën ekonomike të konsumit e duke transferuar shumicën e prodhimit në hemisferën tjetër? E kemi ndarë botën më dysh, duhet ta kemi parasysh këtë. Kemi krijuar një botë konsumatorësh në Perëndim e një botë prodhuesish, akoma jo konsumatorë, në Lindje. Kriza, që erdhi si pasojë e rritjes së borxhit publik, e lëkund sistemin, pasi bota perëndimore nuk mund të rritet më ekonomikisht, aftësitë prodhuese janë transferuar gjetiu. E ç’mund të thonë agjensitë e vlerësimit? Që jemi të zotë vetëm sepse bëjmë manovra për uljen e borxhit publik? Është e qartë që këto agjensi duhet t’i shpjegojnë më mirë arsyet e tyre, të jenë më të vetëdijshme për efektet dhe pasojat e vlerësimeve që japin, të sqarojnë cilat janë kushtet për zhvillimin ekonomik të një vendi, duke u nisur nga gjendja aktuale… Nga ana tjetër, është e vërtetë se këto agjensi janë të gjitha amerikanoveriore e se SHBA-të e kanë nacionalizuar borxhin e privatëve, i cili konkurron në treg me borxhin evropian, prandaj ndokush dyshon se agjensitë punojnë për ta penalizuar borxhin publik të Evropës… Por, po t’i lemë mënjanë këto dyshime e të kemi parasysh realitetin e prekshëm, ç’do të mund të thoshin vallë këto agjensi, përveçse asaj që thonë?
Disa analistë mendojnë se politika e ndjekur nga kancelarja gjermane Merkel e nga presidenti francez Sarkozi po e çon Evropën drejt vetëvrasjes. A jeni dakord me këtë?
I yni, është problem evropian, është problem konkurrence. Sot, bota ka ndryshuar, jemi përpara një rendi të ri botëror, në të cilin 60-70% e produkteve më të rëndësishme, që konsumojmë, prodhohen në një zonë gjeografike, ku krahu i punës kushton më pak. Sistemi ynë perëndimor është i kushtueshëm, prandaj, nëse duam të kemi punë, të jemi të pranishëm ekonomikisht në nivel botëror, duhet të rifitojmë aftësinë e konkurrencës. Është e qartë se nuk ekziston konkurrencë evropiane. Ekziston konkurrencë italiane, spanjolle, franceze, gjermane… Për rrjedhojë, brenda Evropës, e cila ka një monedhë, por jo edhe një sistem për qeverisjen e ekonomisë, më të mirët vuajnë më shumë se të paaftët.
Pas disa ditësh, Merkel, Sarkozi dhe kryeministri italian, Monti do të takohen në Romë. Cilat janë parashikimet tuaja për këtë mbledhje?
Natyrisht nuk e di rendin e ditës dhe tematikën. Di vetëm ç’do të vendosja unë në rendin e ditës: gjëja më e rëndësishme është përtëritja ekonomike e sistemit evropian. Gjithashtu, duhet të jetë e qartë se për këtë nuk mjafton vetëm Italia, ose vetëm Italia e Spanja… por Evropa e SHBA-të së bashku, sepse kriza është shkaktuar nga sistemi perëndimor, pra nga Evropa e SHBA-të, të cilat duhet të hartojnë një plan të përbashkët për daljen nga kjo gjendje.








All the contents on this site are copyrighted ©.