Hapja shkollave shqipe të Janjevës e Trepçes me 1766
Sipas të dhënave historike dhe gojore, më 16 janar 1766 duhet të jetë hapur shkolla
shqipe e Janjevës dhe e Trepçes. Ishte një nga shkollat e para, të vogla, shqipe,
që hapeshin për t'i bërë ballë presionit të islamizimit të vendit e që siguronin komunikimin
ndërmjet misionarëve të Kishës katolike dhe popullsisë vendase, duke luajtur një rol
të dorës së parë në mbrojtjen e fesë së krishterë nga rreziku i thellimit të apostazisë,
e jo më pak, duke edukuar, duke thelluar e duke transmetuar ndjenjat e flakta kombëtare. Shkolla
u themelua nga ipeshkvi i madh i Shkupit, Imzot André Bogdani, i cili për nevojat
e mësimit të shqipes në shkollën e tij, iu vu punës dhe nisi të hartojë edhe tekstet
e para, si fjalori e gramatika, pa të cilat as që mund të mendohej vijimi i një shkolle
të rregullt. Dhe gjithë kjo, në kushte të tmerrshme, kur nga përndjekja e turkut i
duhej ta mbyllte tash e parë mësonjëtoren e të fshihej, me një thes librash e dorëshkrimesh,
ndër shpellat e bjeshkëve veriore, duke pritur kohë më të mira. E nuk ishte përpjekja
e parë kjo: para saj, më 1632 meshtarët katolikë patën hapur shkollën e Kurbinit në
afërsi të Krujës, që aso kohe i përkiste vilajetit të Shkodrës. Mësohej shkrim e këndim
shqip. Si tekste përdoreshin veprat e Bardhit, Budit e Bogdanit. Ndërsa shënonte sukseset
e para, shkolla u mbyll nga pushtuesi osman, që ia kishte frikën më shumë armës së
kulturës, sesa shpatave e topave. Ishin farët e para të dritës që hidheshin në
truallin e palëruar shqiptar, nga të cilat më vonë do të mbinin e do të rriteshin
shkollat të tjera kishtare e civile, si shkolla françeskane në Shkodër, e cila përdori
që heret shqipen si gjuhë kryesore mësimi - tek ajo që vijon të njihet zyrtarisht
si shkolla e parë shqipe, hapur në Korçë më 7 mars 1887 e sa e sa të tjera në veri
e në Jug të trojeve shqiptare e edhe më tej, ndër arbëreshtë e Italisë e të Greqisë.
Deri tani, për shkak të mohimit të plotë të kontributit të klerit katolik në kulturën
kombëtare shqiptare, shkolla si kjo e Imzot Bogdanit e si shkollat tjera themeluar
nga Kisha, kanë qenë mohuar. Por ne besojmë se ka ardhur koha për rishikimin e historisë
së shkollës shqipe, e cila duhet t'ia kthejë të drejtën e grabitur atyre që meritojnë
të quhen pionierë të shkollës shqipe, sepse ashtu qenë vërtetë.