2012-01-16 15:44:03

Denoncim nga Pakistani: spastrim etniko-fetar kundër fëmijëve të krishterë


Përdhunime e tortura kundër fëmijëve, kërcënime kundër familjeve, abuzime e dhunë kundër viktimave, që, të tmerruara, nuk guxojnë të flasin: kjo është gjendja në lagjet periferike të Karaçit, qytetit më të madh të Pakistanit jugor, qendër e provincës së Sindh-it. Denoncimin shokues e bën një parlamentar katolik i provincës, Majkëll Xhejvd, në një bisedë me agjensinë e lajmeve Fides. Të krishterët, jep alarmin Xhejvd, pësojnë prej muajsh dhunën e jashtëzakonshme të lëvizjeve politike me bazë të theksuar etnike dhe myslimane, si ajo e pashtunëve. Familjet e krishtera po përjetojnë një kalvar, të cilin s’kanë guxim as ta denoncojnë nga frika, flet për ta parlamentari. Vetëm gjatë muajit të kaluar janë regjistruar 15 raste përdhunimesh. Në njërën nga lagjet, ekzistojnë qeli të vërteta torture, ku përdhunohen e mbahen të mbyllur fëmijë të krishterë, vajza e djem. Për t’i liruar, u kërkohet familjeve deri në 10 mijë rupi, shifër e paarritshme për to. Kështu, të vegjlit torturohen derisa nuk njihen më. Në një rast tjetër, pikërisht pranë një kishe, është hapur një shtëpi, ku vajza kristiane detyrohen të kthehen në prostituta. Si rezultat, shumë familje të krishtera janë larguar nga Karaçi, duke realizuar pa dashur, qëllimin e fondamentalistëve: spastrimin etnik e fetar të zonës, në favor të islamikëve. Megjithëse janë lajmëruar, deri tani, autoritetet nuk kanë reaguar.
Siç njoftohet nga agjensia Fides, këto lagje janë shumë të varfëra, me probleme të jashtëzakonshme kriminaliteti e droge. Mungojnë shkollat e shërbimet shoqërore, prandaj mbretëron dhuna. Kisha është e pranishme me shkolla, me një qendër për të ndihmuar të droguarit, me motrat e Nënë Terezës e me françeskanet e Zemrës së Krishtit. Por, nuk mjafton!








All the contents on this site are copyrighted ©.