Si sot, më 15 janar 1975 ndërroi jetë shkrimtari prof. Ernest Koliqi. Ai lindi në
Shkodër me 20 Maj 1903, në një familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në
vendlindje, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu
studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë
në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin,
themeloi gazetën "Ora e Maleve". Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike
"Bashkimi", themeluar nga Avni Rustemi. Për t'i shpëtuar forcave zogiste, emigroi
pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues
në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën "Epika
popullore shqiptare". Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e
tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari
mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve
Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë
Universitetit La Sapienca të Romës. Më 15 janar 1975 vdiq në shtëpinë e tij në
Romë, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi
i tij. U varros në Romë. Pra, Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të
viteve '30, mbylli sytë përgjithmonë 37 vjet më parë në shtëpinë e tij të thjeshtë,
në Fiano Romano (Romë), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor
i fashizmit. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër,
të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme
të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm
në poezinë "Bijës sime", botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik.
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, Ernest Koliqi njihet
si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”,
rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë
i publicistikës shqipe. E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën
italiane, në të përjavshmen studenteske "Noi giovani" të Bergamos. Gjatë mërgimit
në Jugosllavi, botoi poemthin "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike;
më 1929, "Hija e maleve" e më 1935 "Tregtar flamujsh", kushtuar jetës
në Shkodër. Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: "Poetëve të mëdhaj të
Italisë". Më pas botoi "Kangjellat e Rilindjes" (1959) dhe romanin "Shija
e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e
vet. Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë "Dante Aligheri"; “Yllin e artë për
merita të shkollës"; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut", Anëtar nderi i
qendrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj. Pak vjet më parë
arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të
vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe,
i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa
herë në Shqipëri dha jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi. A
mund t'i mohohet Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe? Në përvjetorin
e vdekjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit,
themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit,
gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit
të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut. Do
të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij
vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqit.
Po mjaftohemi, për shkak të mungesës së kohës, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e
Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi
ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, në sa trupi i tij do të
mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodrën, mëngjeset e së së cilës
i kujton kështu: Shkodra në mëngjese Kendojnë bashkë në mengjese pesë
kumbonare, kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë: mbi Maranaj qet vetllen
kureshtare agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Perhapë lajmin e zgjimit
rrezja e parë të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë, e shpejt në at
lavdi dielli, qi e veshë fare Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai
diell prendvere i ri shprazet në shtepija udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e
shkendija, tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj
si lum gzimi tue rreshqitë në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë kaçurrelat
e tyne kur shkojnë në shkollë. Lutja e Dëshprueme
Ju qi keqas t’vorrosun
keq flêni nder murrâna mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi, deshmor‘,
q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna, nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín
nuk u a shuen gjumi.
Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni e
as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli, qi éshtnat vrik ju dridhen
kur del nji zâ nga pylli, a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,
ju
qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun, ju qi burrnín jetike e patët si mësuese, ju
qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse, ju qi n’mprojen e nderit botën keni
çuditun,
sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim: ju qi epopé t’panjoftun
shkruet me gjakun e kuq, plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin, fatosa
orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.
U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue
me jue fisi; ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku, porzmat vigâne t’ueja,
jo, nuk i mposhti anmiku por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.
N’heshtim
t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit, prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj
nuk e njomin bukën, por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën tue
prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.
Jo váj por gjâm e ahté
prej pyjesh sjell jehona, zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë, shpirtnat
errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta
po i a thanë.
O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale, n’tê tash tridhet‘
qindavjeta na u end e ndershme jet, jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata
e t’shkreta, ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.
Me mzi
strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha, n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin
duhínat, pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat, pa njoft‘ doket
e lmueta të kombeve fatbardha.
E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe Qi
e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum, sepse bylmet na kishin nji
lirí t’thjsht‘, t’pashoqe, qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.
Nânat
me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin Me fluturue si shqipe në qiell
t’nderit shqiptar, n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar, qi
kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
O Perendí, ndër shekuj ûja buzën
na e zverdhi, shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín e mitun q’ish
n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.
Pse
kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata? Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit:
s’kishim tjetër: kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër. Po pse,
o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?
Vegimi i Laures - Françesko
Petrarka
Ky sonet , ashtu si shume te tjere , i kushtohet vashes me emrin
Laura, qe Petrarka e njohu ne rini dhe qe vdiq e re.Vegimi i saj i shfaqet ne vetmine
e natyres dhe ai nis te kuvendoje me te.
Me ndie zogjt tue pingrue,a flladin
n'vere tue luejtun ambelsisht neper t'njomat flete, a prej nje bregu t'lulezuem
e t'blere me m'ardhe nje shushuritje ujnash t'qete
ku rrij n'mendim dashnije
e shkruej,athere shof Ate,qe na e fali Qielli vete, e dheu e mshefi,e i duket
zemres s'mjere se t'fshameve Ajo iu gjegj si t'ish prap n'jete.
"Deh,perse
veten po don keshtu m'e shkri, - me thote tane dhimbje, - e loten e deshprueme si
lume po e derdh prej syve mbushe me idhni?
Per mue mos qaj.pse m'bani t'lume edhe
t'perjetshme,e keta syte e mi kur t'ngjau se i mbylla, i çela n'drite t'amshueme."