Jetën e Shën Feliksit (në gjuhën shqipe, Gëzim) na e tregon Shën Paolini i Nolës,
falë të cilit u realizua edhe kompleksi më i famshëm i bazilikave paleokristiane në
Çimitile, gjashtë kilometra larg nga Nola, në Italinë jugore. Në këtë vend deri në
shekullin II pas Krishtit, ishte një varrezë pagane, pranë së cilës të krishterët
e parë të zonës varrosnin të vdekurit e tyre në një ‘cæmeterium’, term nga i cili
rrjedh toponimi Çimitile. Këtu u vendosën edhe reliket e Feliksit, që ka shumë mundësi
të ketë vdekur aty nga viti 313. Varri i Shenjtit u bë cak shtegtimesh e mrekullish
e edhe i gjashtë bazilikave, kushtuar Shën Feliksit, Shën Shtjefnit, Shën Gjonit,
Shën Paolinit, Shenjtorëve martirë e Shën Gaulonit. Këtyre bazilikave, më 1789, iu
shtua edhe ajo famullitare, e vendosur mbi zonën arkeologjike, kushtuar edhe ajo Shën
Feliksit. Zanafilla e këtyre viseve të shenjta kulti e lutjesh lidhet me manastirin,
që u ndërtua nga ipeshkvi i Nolës, Shën Paolini, me origjinë nga Bordoja e Francës,
i cili në vitin 394 u vendos në Çimitile e ndikoi fuqimisht në zhvillimin e vendit.
Pranë ‘monasterium’ u mblodhën shumë miq të ipeshkvit shenjt, që më pas do të bëhej
pajtor i Nolës e do t’i kushtohej festa e famshme e Zëmbakëve të Nolës, që kremtohet
më 22 qershor. Pasi u bë ipeshkëv i Nolës në vitin 409, Shën Paolini u largua nga
manastiri, zgjëroi varrezën e ndërtoi Bazilikën e Re (400-403) e cila më pas u përfshi
në bazilikën e Shën Gjonit, që komunikonte, përmes një tuneli me tri harqe, me bazilikën
e Shën Feliksit in Pinçis. Kjo e fundit është më e rëndësishmja nga të gjashtë
bazilikat, sepse u ndërtua mbi mbetjet e nekropolit të lashtë të Nolës e sidomos,
sepse këtu ruhen reliket e Shën Feliksit, mbyllur në një arkë, në të cilën më pas
u vendosën edhe reliket e dy ipeshkvijve të tjerë. Ky vend u bë një ‘martyrium’, me
një hyrje, që shërben për kalimin e besimtarëve, të cilët duan të zbresin në varr.
Që nga ajo kohë besimtarë të panumërt vijojnë të vizitojnë arkën e relikeve e të vendosin
aty pomata, që konsiderohen të mrekullueshme e shërbejnë për shërimin e sëmundjeve
të ndryshme, pasi kanë prekur vendin ku ruhet trupi i Shenjtit. Kaq dimë për Shën
Feliksin e për ipeshkvin Shenjt Paolinin i cili, tepër i devoçëm i shenjtit, i kushtoi
14 këngë, që njihen si ‘Këngët e lindjes’, sepse të shkruara më 14 janar, ditë kur
Feliksi lindi për qiell. Tregimi poetik i Shën Paolinit është dokumenti i parë
historik për jetën e Shën Feliksit, dmth e para përmbledhje e traditës gojore, mbledhur
nga ipeshkvi në zonë. Sipas kësaj përmbledhje, Feliksi lindi në Nolë, në shekullin
III, në një familje të ardhur nga lindja. U persekutua, u burgos e u torturua. Më
pas u lirua mrekullisht nga një engjëll, që e çoi në një vend të shkretë (prandaj,
edhe pse nuk u martirizua, nderohet si martir). Falë paqes kostandiniane, Feliksi
u rikthye në dioqezë. Këtu, ndonëse u zgjodh pasardhës i ipeshkvit Maksim, nuk e pranoi
selinë ipeshkvnore e jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar bukën e gojës me punën
e përditshme, deri në vdekje. Për nder të tij kremtohen dy festa me procesione madhështore:
e para më 5 janar e e dyta, më 14 janar, kur kremtohet edhe festa e tij liturgjike. Sot
është dita emrit e gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë, që quhen Gëzim, sepse këtë
kuptim ka emri Feliks në gjuhën shqipe.