2012-01-14 14:11:55

Atë Lombardi: liria fetare e persekutimi i të krishterëve në botë


Në editorialin e tij javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë dhe drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, kësaj radhe ndalet në dy elemente kryesore që u nënvizuan nga Papa Benedikti XVI në fjalimin e tij drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar pranë Vatikanit. Në takimin tradicional të përvitshëm me rastin e shkëmbimeve të urimeve të vitit të ri, Papa vuri në fokus vlerën e lirisë fetare në shoqëri dhe denoncoi persekutimin e të krishterëve në shumë Vende të botës. Mbi temën e persekutimit të të krishterëve, ta dëgjojmë Atë Lombardin me temën Lum të persekutuarit...RealAudioMP3
Në fjalimin mbajtur me rastin e fillimit të vitit të ri para Trupit Diplomatik, pasi përshkroi e përshkoi panoramën e gjerë të situatës ndërkombëtare, Papa iu kthye sërish temës kyçe të lirisë fetare, që ishte thelbi i fjalimit të tij të vitit të kaluar, e që sot u bë përsëri jashtëzakonisht aktuale në shumë pjesë e vise të botës, që kulmoi me vrasjen brutale të ministrit pakistanez të pakicave, katolikut Shahbaz Bhatti.
Lidhur me këtë, sinjalizojmë raportin e përvitshëm të kohëve të fundit të Organizatës Jo Qeveritare ndërkombëtare ungjillore “Portat e Hapura” mbi “Persekutimin e të krishterëve në botë”, që përfshin së bashku të gjithë emërtimet e krishtera. Ky raport studion e përpunon një “listë botërore të persekutimit”, në krye të së cilës radhiten dhjetë vendet e para në botë siç vijon: Koreja e Veriut, Afganistani, Arabia Saudite, Somalia, Irani, Maldvidet, Uzbekistani, Jemeni, Iraku e Pakistani. Ndër shqetësimet më të mëdha është për t’u vënë në dukje rritja e islamizmit ekstrem, me faktet e dhunës së tmerrshme, shprehje e shembulli i së cilës është sekti Boko Haram në Nigeri, dhe gjendja e pasigurisë apo e dhunës që regjistrohet në Vende të ndryshme, ku mjerisht, shoqëron zhvillimet pas “pranverës arabe”, që i detyron shumë të krishterë të ikin apo të emigrojnë.
Agjencia Fides, ana vet, ka publikuar listën e zakonshme të operatorëve e të vullnetarëve katolikë të vrarë në botë gjatë vitit që kaloi. Lista numëron 26 persona – 18 meshtarë, 3 rregulltare, 4 laikë. 13 meshtarë janë vrarë në Amerikën Latine duke pasqyruar klimën e dhunës që karakterizon situatën në disa Vende të atij kontinenti, me Kolombinë e Meksikën në rend të parë.
Të pësosh persekutimin apo salvimin në emër të Jezu Krishtit, ta paguash me çmim të jetës personale shërbimin e fesë e të drejtësisë, gjithmonë e ka shoqëruar e do ta shoqërojnë përherë udhën e dishepujve. Nuk ka pse të çuditemi: na ka thënë Jezusi në fjalimin e tij mbi Mal, duke shpallur Lumnin e fundit e duke premtuar “shpërblimin në qiell”.Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” (Mt 5,11-12)







All the contents on this site are copyrighted ©.