2012-01-13 20:08:16

Polemika në BE për Kushtetutën hungareze: intervistë e ipeshkvit-ndihmës, të Budapestit.


Dje, në Parlamentin evropian të Strasburgut u paraqitën drejtimet kryesore të semestrit të presidencës daneze, por sidomos, u zhvillua një debat i ashpër mbi Kushtetutën e re hungareze, në fuqi, që nga fillimi i vitit. Komentet kritike kanë të bëjnë me lirinë e shtypit e të fesë e me kontrollin e qeverisë së Budapestit mbi Bankën Qendrore e magjistraturën. Në mikrofonin tonë, ipeshkvi ndihmës i kryedioqezës së Eshtergom-Budapestit, imzot Janosh Shékeli, shpjegon risitë kryesore, që sjell kjo Kushtetutë:

Përgjigje: - Kushteuta e re e Hungarisë, miratuar në vitin 2011, që nis me emrin e Zotit në hyrje, pohon se jeta njerëzore duhet mbrojtur që nga zënia, në perëndimin e saj të natyrshëm dhe deklaron se Hungaria mbron institucionin familjar, si besëlidhje jete ndërmjet burrit e gruas. Kushtetuta saktëson edhe se familja është baza e vazhdimësisë së jetës së popullit e, në përcaktimin e taksave, theksohet se duhen marrë mirë parasysh shpenzimet për edukimin e fëmijëve. Është e qartë se shumë prej intelektualëve evropianë nuk u pëlqen ky pohim i vlerave themelore. Madje i nxit të nisin sulmin. Veç kësaj, qeveria hungareze u ka vënë taksa të përkohshme shtesë edhe bankave, për shkak të krizës ekonomike. E ky vendim e shqetëson jo pak botën e financës.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni lidhur me ligjin për mjetet e komunikimit, kritikuar ashpër nga shtypi botëror?

Përgjigje: - Në tekstin fillestar të ligjit kishte disa masa të tepruara. Ligji kërkonte, për shembull, të kontrollohen gazetat, sipas shembullit të kontrollit, që ushtrojnë shtetet evropiane mbi shtypin elektronik. Masa të tilla të tepruara u korrigjuan dhe u shlyen nga teksti, duke ndjekur këshillat e Gjykatës Kushtetuese hungareze e të disa organeve evropiane.

Pyetje: - Lexojmë gjithandej se në Hungari janë kufizuar konfesionet e njohura e se liria e fesë është në rrezik. Si e përkufizon Kushtetuta e re Kishën?

Përgjigje: - Synimi i këtij ligji është ta përcaktojë mirë statusin juridik të Kishës, në drejtësinë civile hungareze, për të shmangur lulëzimin e “Kishave me synim fitimi” (business churches”). Duhet ditur se në Hungari, ndryshe nga Italia, shkollat dhe institutet shoqërore e shëndetësore të Kishave marrin nga shteti të njëjtin financim, që kanë shkollat e spitalet shtetërore. Prej këndej, shkollat e Kishës janë falas për familjet, ashtu si dhe shkollat shtetërore. Prandaj kanë lindur shumë kisha të rreme, qëllimi i vetëm i të cilave është të përfitojnë nga ndihma shtetërore. Ligji i sotëm formulon më hollësisht kushtet që duhet të plotësojë një bashkësi, për t’u njohur nga shteti si Kishë (për shembull, bashkësia duhet të ketë jo më pak se njëmijë anëtarë, e të paktën prej njëzet vjetësh). Ndërkaq, bashkësitë fetare, që nuk e kanë fituar statusin juridik si Kishë, mund të vijojnë qetësisht jetën e tyre, si më parë, por nuk mund të marrin ndihma nga shteti. Vetë ligji u njeh statusin juridik të Kishës, disa bashkësive fetare; ndërsa të tjerat mund ta kërkojnë këtë status në të ardhmen.

Pyetje: - Po përsa i takon krizës financiare, ç’masa ka marrë qeveria?

Përgjigje: - Natyrisht, qeveria e sotme hungareze ka edhe gabime. Në ligjin mbi Bankën qëndrore bëri disa ndryshime, që të krijonin idenë se shteti donte ta kufizonte pavarësinë kësaj Banke. Në të vërtetë, qeveria deklaron e dëshiron ta respektojë pavarësinë e Bankës qëndrore, por ndryshimet në ligjin e ri ishin të panevojshme e krijuan edhe rast për akuza. Përveç kësaj, qeveria ndryshoi edhe kontratat e huave lidhur nga huamarrësit me bankat e ndryshme. Kjo shkaktoi protestat e bankave. Qeveria duhet të ishte marrë vesh me bankat, e pas kësaj marrëveshjeje, t’i ndihmonte personat huamarrës. Kjo marrëveshje tashmë është përfunduar. Huamarrësit, bankat e shteti i ndanë së bashku pasojat e dobësimit të valutës hungareze.







All the contents on this site are copyrighted ©.