2012-01-13 14:53:37

Papa, Policisë në shërbim të Vatikanit: drejtësia shkelet, kur sundojnë kriteret e fitimit e të suksesit.


Papa priti sot në audiencë, drejtuesit dhe punonjësit e Sigurimit Publik, që kryejnë shërbimin në Vatikan.
Në këtë takim tradicional të fillimit të vitit, Benedikti XVI e drejtoi vështrimin kah viti i ri 2012, që filloi me shqetësime të reja. Prej këndej, uroi që forcat e policisë të mbrojnë drejtësinë e t’i shërbejnë paqes. Më pas, u ndalua tek episodet e dhunës e të intolerancës kundër të krishterëve, tepër të shpeshta vitin e kaluar. Në përfundim të fjalimit, Papa u kërkoi ndjesë të pranishmëve për tonin e ultë të leximit, sepse e kishte zërin të ngjirur.

Në fjalimin dejtuar Inspektoriatit të Sigurimit Publik pranë Vatikanit, Papa uroi që forcat e policisë të jenë gjithnjë mbrojtëse të drejtësisë e ndërtuese të sinqerta të paqes. Më pas i falënderoi për shërbimin e tyre të përkushtuar në mbrojtje të rendit publik, në një mjedis ku vijnë ditë për ditë shtegtarë të panumërt, që gjunjëzohen pranë Varreve të Apostujve. Ati i Shenjtë e shfrytëzoi këtë rast edhe për të rikujtuar vuajtjet e të krishterëve të shumtë, viktima të dhunës e të intolerancës, në të katër anët e botës:
Vazhdimisht, në vise të ndryshme të botës, objekt i raprezaljeve dhe i atentateve kanë qenë pikërisht të krishterët, që e paguan edhe me jetë besnikërinë e tyre ndaj Krishtit e Kishës”.
Kujtoi, më pas, edhe Mesazhin e tij për ditën Botërore të Paqes, në të cilin vuri theksin mbi edukimin e të rinjve me frymën e drejtësisë e të paqes. Dy terma, vërejti, që shpesh përdoren me dy kuptime:
“Drejtësia nuk është normë e thjeshtë njerëzore: kur, në emër të asaj që vetëquhet drejtësi, sundojnë kriteret e dobisë e të pasjes, nuk është për t’u çuditur në se shkelen nën thembër vlera e dinjiteti i njeriut”.
Drejtësia, ripohoi Papa, është virtyt, që e shtyn vullnetin njerëzor t’i japë tjetrit çka i përket, mbi bazën e punës që bën e të djersës që derdh. E po kështu edhe paqja, nuk është vetëm mungesë e luftës e as vetëm rezultat i veprimtarisë së njerëzve për ta shmangur atë, por, mbi të gjitha, është dhuratë e Zotit, që duhet lypur me fe të gjallë, ndërsa, për ta gjetur, duhet ecur në rrugën që na tregon vetë Jezu Krishti.:
“Paqja e vërtetë sigurohet ditë për ditë me kontributin e pasionuar, solidaritetin, vëllazërimin e bashkëpunimin e secilit nga ne. Ajo lidhet ngushtësisht me drejtësinë dhe frymëzohet nga vërtetësia, e thënë me dashuri. Njerëzit mund ta realizojnë duke u nisur nga rrethanat, në të cilat jetojnë ditë për ditë: nga familja, puna, lidhjet e miqësisë”.
Papa kujtoi edhe numrin e madh të njerëzve nga mbarë bota, që viziton çdo ditë Vatikanin, zemër e Kishës katolike, duke theksuar se një dyndje e tillë shtegtarësh nuk krijon kurrfarë problemi për Romën e për mbarë Italinë, përkundrazi, është burim pasurie e krenarie.







All the contents on this site are copyrighted ©.