Më 13 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së dom Pjetër Grudës
Më 13 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së dom Pjetër Grudës, martir i fesë së
krishterë gjatë persekutimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Dom Pjetër
Gruda, lindi në fshatin Grudë të Malit të Zi më 1 gusht 1922. Studimet e formimin
për meshtar i bëri në Kolegjën Saverian e Seminarin Papnor në Shkodër. Meshën e parë
e kremtoi më 1946. Që nga ky vit filloi misionin e tij meshtarak duke u emëruar famullitar
në Shkrel, prej nga më vonë u transferua në Sheldi, ku qëndroi deri në vitin 1967,
vit ky kur u mbyllen Kishat dhe tempujt tjerë fetar nga regjimi komunist në Shqipëri.
Pas mbylljes së tempujve dhe institucioneve fetare, dom Pjetër Gruda, si shumica
e klerikëve tjerë, qe detyruar të punonte si punëtor krahu në Ndërmarrjen Bujqësore
të Bushatit. Kështu krijimtaria e tij intelektuale, sepse dom Pjetër Gruda qe intelektual
dhe artist i artit skenik, do të ndërpritej brutalisht nga regjimi çnjerëzor e antikulturor
komunist. Me talentit artistik që kishte, dom Pjetër Gruda do të ishte bërë regjisor
i njohur, po të mos i ndërpritej brutalisht krijimtaria. Kujtojmë se vuri në skenë
shumë pjesë teatrore, ndërmjet të cilave dramën përmendim "Flije Atdheut". Në vitin
1972 ndërsa shërbente në Bushat u arrestua dhe u dënua më 20 vjet burgim si antipushtet
e spiun i Vatikanit nga komunistët, dhe u dërgua me duar të lidhura në Ballsh të Sarandës,
qytet në burgun e të cilit vdiq më 13 janar 1989, tre muaj para amnistisë së klerikëve.
Në kishën e Shkrelit është vendosur një pllakë përkujtimore, ku lexohet emri i
tij dhe ai i dom Ndré Zadejës, poshtë të cilëve - shënimi "Martirë të Fesë" dhe me
plotë të drejtë. E sot duke përkujtuar këtë martir të fesë së krishterë e të vlerave
të vërteta kombëtare shqiptare dhe intelektuale e artistike, po kujtojmë fjalët që
Papa Gjon Pali II tha gjatë audiencës së mërkurës së datës 12 janar 2005. Ati i Shenjtë
Vojtila duke komentuar kreun 11-të të Librit të Zbulesës të shën Gjonit Apostull,
mbi Gjyqin e Zoti, mes tjerash tha: “Krishti është siguria dhe bindja se e keqja mposhtet
me të mirën. Të krishterët janë shërbëtorë, profetë e shenjtorë. Martirët, janë shenja
e zgjedhjes dhe përcaktimit në krahun e vlerës më të madhe, asaj të Kryqit”.