2012-01-13 19:44:16

Kryeministri Berisha priti ministrin e jashtëm Hoxhaj


"Festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përbëjnë një moment të rëndësishëm për tu ndalur dhe nderuar historinë, sakrificat dhe përpjekjet e kombit për liri, pavarësi e dinjitet", vlerësuan sot Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj gjatë një takimi të zhvillua në ambientet e kryeministrisë së Tiranës.
Zyra e shtypit e qeverisë shqiptare bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit kosovar Hoxhaj vlerësimet më të mira për faktin që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, është shndërruar dhe po shndërrohet përditë e më shumë në një faktor real të paqes, stabilitetit, sigurisë, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.
Ndërsa kryediplomati kosovar shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare e Shqipëria i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë kësaj periudhe, në veçanti për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të merituar të Kosovës në bashkëpunimin rajonal e më gjerë.
Në takim u pohua vendosmëria e të dy qeverive për të eliminuar çdo pengesë burokratike, në mënyrë që midis qytetarëve të të dy vendeve t'u mundësohet intensifikimi më i lartë i lidhjeve e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të biznesit, kulturore etj., në shërbim të interesit më të mirë e prosperitetit të tyre, si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit të miqësisë në mbarë rajonin.
Në këtë kontekst, qeveritë e të dy vendeve do të punojnë ngushtësisht për të garantuar kuadrin më të përsosur ligjor në shkëmbimet midis dy vendeve, të njëjtë me atë që aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian në marrëdhëniet mes tyre.
Më tej kreu i ekzekutivit dhe ministri kosovar ripohuan vizionin e palëkundur të të dy vendeve se ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e gjithë rajonit është e mbetet integrimi i plotë në Bashkimin Evropian i Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit.
Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e jashtëzakonshme që edhe qytetarëve të Kosovës t'u jepet mundësia për lëvizje të lirë në hapësirat evropiane ashtu si edhe të gjithë qytetarëve e tjerë të rajonit, çka do t'i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon dhe zgjerimit të bashkëpunimit të qytetarëve të Kosovës me ata të Bashkimit Evropian. (ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.