2012-01-13 19:49:08

Kosovë: Jahjaga protestat të jenë paqësore, jo shkeljes së ligjit, jo dhunës


Paralajmërimi i Lëvizjes "Vetëvendosje" për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve, thekson Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
Në një deklaratë të dhënë pak më parë për protestën e paralajmëruar për nesër të Lëvizjes Vetëvendosje, Presidentja Jahjaga shton se "e drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës.
Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja 'Vetëvendosje', ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës".
Si Presidente e Republikës së Kosovës, shprehet Jahjaga, angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për adresimin e të gjitha çështjeve brenda institucioneve dhe në zbatim të plotë të ligjit. "Përcaktimin e 'Vetëvendosjes' për të dalë në rrugë nuk e shoh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit.
Ashtu si edhe në çdo rast tjetër, shpreh qëndrimin tim të fuqishëm si Presidente e vendit, kundër veprimeve që pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Në këtë rrugë tonën, si vullnet i yni i përbashkët, është parakusht respektimi i standardeve dhe i proceseve demokratike, lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive dhe respektimi i të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore, si dhe konventave ndërkombëtare", thekson Presidentja Jahjaga.
Ajo thërret të gjithë qytetarët të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave.
"Thirrja për reciprocitet nuk mund të shërbejë për veprime kufizuese dhe penguese, sepse synimi ynë si shtet dhe si shoqëri demokratike me vizionin e integrimeve euroatlantike është hapja, bashkëpunimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë, si shtet sovran dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë", thekson në deklaratë Presidentja Jahjaga.







All the contents on this site are copyrighted ©.