2012-01-13 19:56:52

Haxhinasto-Hoshaj: kundër veprimeve për bllokim të pikave kufitare


"Plani i Atisarit" është e vetmja rrugë për të zgjidhur kontradiktat", deklaroi sot zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto në një konferencë të përbashkët për shtyp, me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në vendin tonë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e shërbimit konsullor të Republikës së Shqipërisë edhe në funksion të Shërbimeve konsullore të Republikës së Kosovës, dhe anasjelltas, në konferencën për shtyp, Haxhinasto shprehu qëndrimin e tij lidhur me vendimin e lëvizjes "Vetevendosje",e cila do të bllokojë nesër të dy pikave kufitare me Serbinë.
"Ne nuk mbështesim veprimet ekstremiste në Kosovë, por vlerësojmë vetëm atë që është dhe fryma evropiane e zgjidhjes së kontradiktave, pra dialogu dhe marrëveshjet e arritura prej tij", theksoi kryediplomati shqiptar.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës, u shpreh se "çdo sjellje e dhunshme dhe çdo akt, që është kundër ligjeve dhe Kushtetutës, është i papranueshëm dhe nuk është një qasje evropiane. Duhet të sillemi në mënyrë dinjitoze, si një shtet evropian dhe demokratik. Akte te tilla për qeverinë e Kosovës janë të papranueshme dhe ne në çdo formë jemi kundër bllokimit në mënyra të paimagjinuara të pikave kufitare me Serbinë".
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Haxhinasto u ndal edhe në marrëveshjen e nënshkruar me homologun e tij kosovar duke bërë të ditur se "është e 75 që kemi nënshkruar me Qeverinë e Kosovës, pas marrjes së pavarësisë së Kosovës".
Kjo marrëveshje, sqaroi ai, synon mbështetje më të madhe, dhe më nga afër të qytetarëve Shqiptar e Kosovar kudo që shërbimet tona konsullore, trupat diplomatik të dy vendeve ofrojnë shërbimet e tyre".
Më tej, Haxhinasto bëri të ditur se kryefjala e takimit ishte edhe "zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve me fokus të veçantë ekonomia, ku dhe kemi rënë dakord që të mbledhim sa më parë komisionin e përbashkët të ekonomisë".
"Ky komison do të shqyrtoi dhe trajtoi të gjitha, ato çështje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me problematikën më të madhe ekonomike, në funksion të një tregtie të lirë, në funksion të përdorimit të risurseve, të infrastrukturës së përbashkët për ta zgjeruar tregun dhe konsoliduar lirinë e tij', tha ai
Për sa i takon politikës, Haxhiansto vlerësoi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. "Të gjitha marrëveshjet e arritura, duhet të zbatohen, pasi kjo është mjaft e rëndësishme. Ne mbështesim plotësisht frymën dialogun institucional dhe e shohim atë si rrugën më të mirë për të zgjidhur konfliktin".
Ndërsa ministri Hoxhaj theksoi se "ky vit është një vit shumë i rëndësishëm për ne. Kemi bërë shumë rrugë dhe është kyçë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të jetë i shëndetshëm".
"Bashkimi Europian ka në thelb të tij, lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj dhe lirinë tregtare të tyre. Kështu, që ne duhet të fokusohemi pikërisht në këto pika. Prandaj dhe ne sot, ramë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët ekonomik", deklaroi ministri kosovar.
Gjatë vizitës në Tiranë, Ministri kosovar Hoxhaj do të takohet sot me Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, si dhe Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.







All the contents on this site are copyrighted ©.