Sipas përshkrimit të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë, por të gjitha
dëshmitë tjera, që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë se duhet të jetë
martirizuar në Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet në një përfundim
të saktë për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë edhe kohën
kur e dëshmoi me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë
persekutimit të fundit pagan. Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte
vetëm një dyshim për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve. Procesionet dhe
flijimet e përditshme idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të krishterëve, prandaj
Arkadi, njeri tepër i njohur, i neveritur nga krimet barbare që kryheshin para syve
të tij, iku në Çezare. Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë ushtarët arrestuan
një nga pjesëtarët e familjes, duke e përdorur si peng, për ta detyruar të kthehej.
Arkadi u kthye menjëherë. U paraqit para gjykatësit, i cili e ftoi të flijonte për
nder të idhujve. Po ai nuk pranoi. Atëherë u dënua me vdekje të ngadalshme, të shkaktuar
nga torturat më të tmerrshme që njiheshin në atë kohë. Sipas martiriologëve latinë,
festa e Shën Arkadit kremtohet më 12 janar, ndërsa në martiriologët lindorë emri i
tij nuk përmendet. Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që
i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë
afrikane. Duket qartë se Shën Xenoni pati një devocion të madh për Arkadin e besohet
se ishte ai vetë që i solli Aktet e martirizimit të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet
që në fillim të panegjirikut të ipeshkvit kushtuar Shenjtit.
Emri i Shën Çezirës
apo Çezaries që do të kremtohet më 12 janar, është i lidhur ngushtë me atë të vëllait
Shën Çesarit, ipeshkëv. Në fakt ishte ky që shkroi Rregullën e urdhrit murgar në të
cilin do të bënte pjesë e motra, Urdhër që bazohet tek heqja dorë nga çdo pronë private,
klauzura e përjetshme, përjashtimi nga juridiksioni ipeshkvnor dhe bindja ndaj superiores
së quajtur “mater”.