2012-01-12 16:07:17

Komisioni i ipeshkvijve evropian kërkon një bashkësi evropiane solidare dhe të ndërgjegjshme


Ekonomia shoqërore e tregut është shumë më tepër se një model i thjeshtë ekonomik, sepse në të ekzistojnë parimet e lirisë, të drejtësisë dhe të solidaritetit. Kështu pohoi kardinali Reihnard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut, e zëvendës president i Komisionit të Ipeshkvijve të Bashkësisë Evropiane (Comece), në fjalimin e paraqitjes në Bruksel të dokumentit “Një bashkësi evropiane bazuar mbi solidaritetin dhe përgjegjësinë”. “ E rrënjosur në parimet filozofike e juridike të anitetiketit greko-romak dhe të teologjisë biblike” - tha kardinali gjerman – një modeli i tillë “vendos lidhjen ndërmjet lirisë së tregut, parimit të drejtësisë dhe urdhrit të dashurisë e të bamirësisë”. Ja disa nga pikat e patundshme të modelit: veprimi i lirë e falas, që ka një domethënie të madhe për kohezionin shoqëror. Një konkurrim i shëndosh, “për eliminimin e taksave dhe të detyrimeve, e këndej të reduktimit të borxhit dhe financimi i shpenzimeve të përditshme”, pa shtrembërime e pa shpërdorime të tregut. “Politika sociale duhet të jetë e aftë të garantojë mbrojtjen shoqërore dhe drejtësinë pjesëmarrëse të të gjithë atyre që kanë nevojë”. Pastaj lypet “një administrim më konkret e më i drejtë i burimeve natyrore dhe lufta kundër pasojave të ndryshimeve klimaterike, që burojnë nga industria e paskrupullt. Pra, sipas ipeshkvijve evropianë, “një shoqëri nuk mund të funksionojë vetëm me drejtësinë që imponohet e që kërkohet të respektohet nga qytetarët, por ka nevojë edhe për hapësirë solidariteti”, për ndihmën e atyre njerëzve që vërtetë janë në vështirësi e në krizë jete. Ky dokument i ri i ipeshkvijve evropianë, ka një përmbajtje vërtetë aktuale për situatën e vështirë e të krizës në të cilën gjendemi sot. Shprehja “ekonomia sociale e tregut” që përdoret kaq shumë nga politika në Bashkimin Evropian, vjen sidomos na përvoja gjermane. E sipas ipeshkvijve katolikë, duhet ecur pikërisht kësaj rruge. Po ekonomia sociale e tregut, sipas ipeshkvijve, nuk mund të reduktohet vetëm në sferën monetare e atë financiare. Kështu, dokumenti ipeshkvnor dëshiron të jetë një ndihmë për Bashkimin Evropian, e i referohet – në njërën anë - siç është duke u zbatuar, lirisë së tregut dhe në anën tjetër kërkon që kjo liri të mos shtrembërohet apo të manipulohet. Sipas dokumentit kishtar, nuk mund të ketë liri veprimi, nëse anashkalohet etika, nëse anashkalohen ato vlera të solidaritetit njerëzor që vërtetë janë themelore për çdo shoqëri. Dokumenti i ipeshkvijve evropian përshkon sfidat e mëdha, e vënë në plan të parë posaçërisht atë që është zanafilla, themeli, rrënjët e Bashkimit Evropian: rrënjët greko-romake, por edhe teologjia biblike. Me një fjalë, dokumenti përshkohet nga tërë ajo kulturë që është thesari ynë, thesari i Evropës sonë në kuptimin e gjerë. Prandaj, në të kemi traditën biblike dhe mësimet e saj mbi solidaritetin, kemi mendimin filozofik të traditës greke e të traditës romake; domethënien dhe vlerën e drejtësisë në shoqëri, që vjen nga tradita romake. Të gjitha aspektet që përbëjnë njerëzimin e Evropës sonë janë të pranishme në dokument e duhet të vlerësohen, përndryshe, nëse Bashkimi Evropian vendos ti referohet vetëm monedhës euro apo ndonjë lloji tjetër të natyrës financiare, nuk mund të ketë rrugëdalje e konkretisht nuk ka të ardhme. Nëse rikuperohet, kjo traditë humaniste, në kuptimin më të plotë të fjalës, atëherë vërtetë mund të jetë një ndihmë e madhe për të ardhmen e Evropës e jo vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.