2012-01-12 13:56:23

Kardinali Ravazi në Twitter: mesazhet e mia janë për të gjithë. Homeli e katekizëm në gjuhën e internetit.


Risi në rrjet: kardinali Xhanfranko Ravazi është në Twitter, social network-u më i njohur në botë, së bashku me Facebook-un. Nisma e teologut për të përcjellë me këtë rrugë mesazhe të shkurtëra, që nxisin reflektimin, ka ngjallur kuriozitet, por edhe pyetje e polemikë. E intervistuam kryetarin e Këshillit Papnor të Kulturës, Hirësinë e Tij, Xhanfranko Ravazi:

Pyetje: - Hirësi, ç’ju shtyu të hyni në këtë fushë komunikimi, mund të themi, të sinkopuar…

Përgjigje: - Janë dy arsye kryesore. E para është kulturore, sepse ka të bëjë me një fenomen – e edhe me gjuhën e tij - që tashmë përbën një lloj rrjeti, të shtrirë në mbarë globin tonë. Është rrjet, që ka jo vetëm vlerat e komunikimit të menjëhershëm, por edhe konceptin e takimit ndërmjet njerëzve, madje, për disa aspekte, edhe vizionin e ri mbi njeriun. Kemi të bëjmë, prandaj, me një fenomen kulturor global. Arsyeja e dytë lidhet me horizontin, në të cilin jemi kredhur, horizont i komunikimit të ri e i mediave të reja, që ka nevojë të madhe për përmasën fetare, përmasën e përshpirtërisë, përmasën e çdo gjëje që, në një mënyrë a në një tjetër, është transhendente në jetën e përditshme. Në rrjet mund të gjesh një mori pyetjesh, shpesh edhe trashanike, duhet ta pranojmë, që kanë të bëjnë pikërisht me fenomenin fetar. Dy janë fjalët kryesore, ballaballas në këtë atmosferë të re: nga njëra anë, kultura e, nga tjetra, feja.

Pyetje: - Ndokush i quan Twitt-et tuaja homeli, por ndoshta ky term është i papërshtashëm?

Përgjigje: - Termi, për mua, është krejt i papërshtashëm, sepse Twitt-et e mia lidhen me një citim të marrë nga Bibla, ose nga kultura bashkëkohore, që nxit një lloj reflektimi themelor, i cili mund të jetë edhe laik: i përshtatshëm për të gjithë, e edhe për besimtarët. Twitteromania është term i sajuar nga përvoja e disa prelatëve, posaçërisht ipeshkvit francez të Suason, imzot Hervé Zhirod, i cili komunikon në internet përmes këtyre homelive tejet të shkurtëra, të tipit moral, shpirtëror, fetar. Nga këndvështrimi formal, janë shumë domethënëse, sepse kanë aftësinë të ndikojnë drejtpërdrejt, me një koncept të vetëm, vetëtues, që të ngelet menjëherë në mendje.

Pyetje: - Hirësi, a nuk keni frikë se Twitt-et tuaja mund të lexohen e të kuptohen përciptazi?

Përgjigje: - Nuk ka dyshim se jemi gjithnjë para dy skajeve, përherë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Nga njëra anë kemi një kulturë, që vihet në lëvizje nga furia e komunikimit, që ka nevojë për një thelbësi absolute, që kërkon kuptim të menjëhershëm, qartësi, përmbledhje të gjithë mendimit, në atë që është thelbësore. Aq e vërtetë është kjo, sa tashmë flitet për vdekjen e nënrenditjes, e arsyetimit silogjistik, që realizohet shkallë-shkallë. Argumentimi, diskutimi, tashmë shlyhet fare nga ato, që janë vetëm koordinata, fraza gati-gati epigrafe, thelbësore; kemi pastaj, një skaj tjetër, atë të fjalimit jo vetëm fetar, por edhe kulturor, që ka nevojë të domosdoshme për thellim, për gërmim, për pasuri argumentimi e diskutimi. E unë besoj se të dy frontet duhen pasur mirë parasysh: fakti që unë përcjell një mesazh thelbësor, nuk e përjashton faktin tjetër, që unë, për shembull, shkruaj edhe në ‘L’Osservatore Romano’, ose në “Avvenire”, ose edhe në fletën kulturore të “Il Sole 24 Ore”, artikuj shumë të ndërlikuar, sistematikë, lidhur me një temë të caktuar, ose recensione përplot me arsyetime të nënrenditura, e jo vetëm me pohime. Duhet të kujtojmë gjithnjë se përsa i përket fushës fetare, komunikimi thelbësor, i rrufeshëm nuk është kurrë i mjaftueshëm, por, nga ana tjetër, nuk duhet kufizuar vetëm me homeli tradicionale, me katekizëm të gjatë ose me reflektime teologjike të mirëfillta. Të dyja rrugët janë të nevojshme.

Pyetje: - Në rastin e Twitter, a nuk krijohet rreziku që pyetjet të mbeten pa përgjigje, e reflektimet të përfundojnë në komentet e Twitt-eve tuaja?

Përgjigje: - Në këtë rast, kemi shumë elemente për të cilët duhet të kujdesemi. Nga njëra anë, heret a vonë, duhet të hyjmë në një lloj dialogu. Është e vërtetë se në marrëdhëniet –unë besoj se sot kam rreth 7. 500 lexues, që ndjekin Twitter-in tim- shumë kërkojnë t’u përgjigjem provokimeve të tyre, shpesh herë me karakter tepër polemik. Deri më sot nuk e kam ndjekur këtë rrugë, sepse kërkon shumë kohë e shumë energji. Por është edhe një aspekt tjetër, që e kam për zemër: praninë në blog: kam një blog të lidhur me “Familjen e Krishterë”, një tjetër, me “Il Sole 24 Ore”, ku shkarkoj sistematikisht artikuj të mirëfilltë dhe u përgjigjem provokimeve e pyetjeve, që më drejtohen. Mendoj se duhen dalluar këto dy gjini. E, së fundi, theksoj se nuk duhet t’i lëmë të vdesin mënyrat e tjera të komunikimit, të cilat unë vijoj t’i ndjek e duhet t’i ndjekin të gjithë ata, që duan të komunikojnë në mënyrë sa më të plotë. Vijoj, për shembull, të mbaj një program televiziv, ku argumentimi është shumë më i gjerë, sepse kam në dispozicion 19 minuta, gjatë të cilave mund të prek një mori temash e mund të më hapen përmasa të ndryshme. Mendoj se duhet të lëvizim në të gjitha rrugët e mundshme, pikërisht sepse sot jetojmë në një atmosferë shumëngjyrshe. Prandaj nuk mund të krijojmë melodi, vetëm me një tel - e kam fjalën për kartën e shtypur, për librin, apo për televizionin. Interneti ka hapur rrugën e larmive, nga e cila nuk mund të shkëputemi, sepse, siç thonë studiuesit e gjuhës, tashmë kjo është një atmosferë e mirëfilltë e, edhe ai që s’do t’ia dijë për të, në fund të fundit përfshihet, tërhiqet e nga një herë, edhe rrëmbehet.

Pyetje: - Mund të themi, atëherë, se bilançi i kësaj nisme është pozitiv?

Përgjigje: - Po, besoj se mund të gjykohet pozitiv. Natyrisht, eksperimentet, kur bëhen për herë të parë, janë gjithnjë të brishta, të kufizuara… megjithatë mund të them se çdo ditë numri i atyre, që i ndjekin këto mesazhe thelbësore, është në rritje, e me të, edhe dëshira për të bërë pyetje e për të marrë përgjigje; e pastaj kemi edhe faktin e atyre, që retwittojnë, domethënë, që e ritransmetojnë në kanalet e tyre, ose në Twitter, mesazhin, që kam dhënë. Element pozitiv, ky, duke pasur parasysh se vetë Shën Pali thoshte: “Duhen përdorur të gjitha rrethanat, e të zgjidhet çka është më e mirë”. Ka edhe shumë elemente negative, në këtë lloj kumunikimi, e shikoj edhe vetë në reagimet e krijuara nga komunikimet e mia. Por është edhe dëshira për të gjetur kuptimin e fundit të realitetit; për të shkuar përtej gjërave të parafundit, domethënë, gjërave konkrete e materiale, që transmetohen e kërkohen zakonisht në rrjet. E nga një herë, këto sende të parafundit, janë të rënda, negative, të pahijshme: mjafton të mendojmë për pornografinë dhe të gjitha format e dhunës, të pranishme në rrjet. Por, nga ana tjetër ndjehen edhe shqetësimet pë realitetet e fundme, lindin pyetje themelore mbi jetën, vdekjen, përjetësinë, të mirën, të keqen, drejtësinë, të vërtetën e gënjeshtrën, dashurinë e urrejtjen, kënaqësinë e dhimbjen, për të gjitha shqetësimet shpirtërore, që e mundojnë në shekuj njeriun, i cili ka një fillesë, por edhe një fund, ndërmjet të cilëve shtrihet jeta, sa e njëllojtë për të gjithë, aq edhe e ndryshme, që përfundon mbi tokë me vdekjen, në sa nuk mund të mos pritet diçka më tepër, diçka që i kalon caqet e jetës e të arsyes njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.