Jezuiti shqiptar, Atë Anton Xanoni, në 150 vjetorin e lindjes (1862-1915). Atë Anton
Xanoni, i njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, lindi në Durrës më 12 janar 1862, por
që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e Etërve Jezuitë. Posa kreu
shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet
e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies, në Spanjë (1883),
në Kraljevicë, në bregdetin dalmat (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin
Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi
dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë
gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë
vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin
Gregorian në Kieri, në juglindje të Torinos në Itali. Atë Xanoni, së bashku me
poetin e gjuhëtarin e shquar, meshtarin dom Ndre Mjedën (1866-1937) si dhe me të vëllain
e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar
më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur
edhe alfabetin e ri. Ishte jezuiti Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës
dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim
si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër
1911-1912. Ai mbante qëndrim të prerë të pastër në shkrimin e shqipes, ishte ithtar
i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë
fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh
studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe
kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer
për kohën kur jetoi. Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit
Elçija e Zemers t'Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe
politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin
shumë. Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja
e historis së moçme, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë
Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur
e pabotuar edhe sot e kësaj dite. Atë Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Kujtohet
si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës
shqiptare, si rregulltar e meshtar i jashtëzakonshëm në dëshmimin e Ungjillit e të
shpirtit shqiptar.