Kryedioqeza Shkodër-Pult prezanton mesazhin e Papës të Ditës Botërore të Paqes
Kryedioqeza Shkodër-Pult prezantoi mesazhin e Papës Benediktit XVI të Ditës Botërore
të Paqes 2012, kremtuar më 1 janar me temën "T'i edukosh të rinjtë për drejtësi dhe
paqe”. Pra, të martën më 10 janar, në teatrin e Shkodrës “Migjeni”, në një mbrëmje
të pasur me programe të ndryshme kulturore me titullin "Vit të mbarë Shkodër, u paraqit
mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes, nga kryedioqeza e Shkodër-Pultit
dhe Komisioni për Drejtësi e Paqe i kësaj kryeipeshkvie. Kryeipeshkvi i Shkodrës imzot
Angelo Massafra shpjegoi para publikut përmbajtjen dhe rëndësinë e mesazhit papnor
duke u ndal posaçërisht te udhëzimet e Atit të Shenjtë Rartcinger që vlejnë për të
gjithë njerëzit, besimtarë e jo besimtarë, sepse në fjalët e Papës kemi udhërrëfyesin
që na tregon si ta rivendosim paqen në jetën tonë personale, atë familjare, shoqërore
e kombëtare. Papa, tha mes tjerash imzot Massafra, në mesazhin e tij na ofron një
shikim plot besim dhe i uron njerëzimit një vit të ri shprese, të shënuar prej drejtësisë
dhe prej paqes, si dhe dëshiron t'i paraqesë të rinjtë si protagonistë kryesorë të
kësaj shprese". Prandaj, imzot Masafra, iu drejtua të pranishmëve në sallën e teatrit
shkodran “Migjeni”, duke kërkuar që të gjithë t’i bashkojnë forcat shpirtërore, morale
e materiale për t'i edukuar të rinjtë në frymën e drejtësisë dhe të paqes, e kështu
të vendosen themelet e sigurta për një të ardhme më premtuese për të gjithë. "Ky është
urimi që u bëj me gjithë zemër të gjithëve, të rinj e të rritur, të gjithë protagonistëve,
ditë pas dite, për një vit më të mirë. Nga zemra ju falënderoj të gjithëve dhe uroj
që viti 2012 të jetë vit më i mbarë për Shkodrën e për Veriun shqiptar", tha kryeipeshkvi
i Shkodër-Pultit imzot Angelo Masafra.
“Të edukohen të rinjtë me frymën
e drejtësisë dhe të paqes”. Ky është titulli i Mesazhit Papnor për Ditën e
45-të Botërore të Paqes. Benedikti XVI i fton të rinjtë të jenë veprimtarë të drejtësisë
e të paqes, në një botë të ndërlikuar e të globalizuar. E më pas kërkon një besëlidhje
të re pedagogjike të të gjitha subjekteve, që përgjigjen për edukimin e rinisë. Tema
flet vetë për një etapë të re të Magjisterit të Benediktit XVI në mesazhet për kremtimin
e Ditës Botërore të Paqes, të cilat i nis nën shenjën e së vërtetës (2006 “Nuk
ka paqe, pa të vërtetën”) e i vijon me reflektimin për dinjitetin e njeriut (2007
“Njeriu është zemra e paqes”), për familjen (2008“Familja njerëzore,
bashkësi e paqes”), për varfërinë (2009 “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë
paqen); për ruajtjen e krijesës (2010 “Në se dëshiron të kultivosh paqen, ruaje
krijesën”) dhe për lirinë fetare (2011 “Liria fetare, rrugë për paqen”).
E sivjet Papa u drejtohet mendjeve e zemrave të të rinjve, të cilët duhen “Edukuar
me frymën e drejtësisë e të paqes”. 1.Mesazhi i Papës për Ditën e 45-të
Botërore të Paqes 2012, i përbërë nga gjashtë pjesë, nis me ftesën për ta pritur
vitin që vjen, me shpresa të reja, ndonëse kohët e fundit njerëzit ndjehen thellësisht
të zhgënjyer, për shkak të krizës, që po trondit shoqërinë, botën e punës, ekonominë;
një krizë, rrënjët e së cilës janë, mbi të gjitha, kulturore e antropologjike. Të
duket sikur koha jonë e ka mbuluar kokën me një rubë të zezë, që nuk e lë ta shohë
qartë dritën e ditës. Kështu shkruan Papa dhe u drejtohet posaçërisht të rinjve, i
bindur se, me entuziazmin e tyre e me idealet e bukura të moshës, mund të ringjallin
shpresa të reja për mbarë njerëzimin. Shqetësimet e shprehura këto kohët e fundit
nga shumë të rinj, ndër zona të ndryshme të botës, nënvizon, shprehin dëshirën për
ta shikuar me shpresë të sigurt ardhmërinë. Ka rëndësi, prandaj, që përpjekjet për
të mbrojtur idealet e bukura të moshës së re, të ndiqen me vëmendje nga mbarë shoqëria.
Kisha, pohon Papa, i shikon të rinjtë plot shpresë, duke u dhënë zemër të kërkojnë
të vërtetën e të mbrojnë të mirën e përbashkët. 2. Përgjegjësve për edukimin! Në pjesën e dytë të mesazhit, Benedikti XVI u drejtohet njerëzve që përgjigjen
për edukimin. E pohon: sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për dëshmitarë të vërtetë,
e jo për shpërndarës të thjeshtë rregullash e informacionesh: dëshmitarë, që dinë
të shikojnë më larg se të tjerët, sepse jetojnë me dëshirën për të pushtuar hapësira
të mëdha. Papa i nxit prindërit të mos dëshpërohen, pavarësisht nga shqetësimet
për të ardhmen. Jetojmë, shkruan, në një botë, në të cilën familja, e edhe vetë jeta,
kërcënohen vazhdimisht e, gjithnjë më shpesh, edhe dëmtohen rëndë. Mbi to peshojnë
kushtet e punës, të cilat dendur nuk përkojnë fare me nevojat, me përgjegjësitë familjare,
me shqetësimet për të ardhmen, me ritmet e ethshme të jetës. Prej këndej, Papa i fton
drejtuesit e institucioneve edukative të kujdesen që çdo i ri të mund t’i zbulojë
prirjet e veta. E edhe t’u krijojnë familjeve kushtet e nevojshme t’i formojnë fëmijët
në përkim me ndërgjegjen dhe parimet e tyre fetare. U drejtohet edhe udhëheqësve
politikë, të cilëve u kërkon t’i ndihmojnë konkretisht familjet dhe institucionet
edukative për t’i ushtruar të drejtat e për t’i kryer sa më mirë detyrat e tyre në
fushën e edukimit. Më pas shton: nuk duhet të mungojë kurrë ndihma për atësinë e amësinë.
E duhet bërë ç’është e mundur, që askujt të mos i mohohet e drejta për t’u shkolluar
e që familjet t’i zgjedhin lirisht strukturat edukative më të përshtatshme për të
mirën e fëmijëve të tyre. E akoma: Ati i Shenjtë kërkon të favorizohet bashkimi i
familjeve të ndara për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike. Në vijim i nxit edhe
udhëheqësit politikë të jenë modele figurash të pastra të një politike, që vihet me
të vërtetë në shërbim të të gjithëve. Së fundi, i bën thirrje botës së mjeteve
të komunikimit të japë kontributin e saj edukativ. Por përgjegjës janë edhe të rinjtë,
të cilët duhet të kenë guxim të jetojnë vetë ashtu, si kërkojnë të jetojnë njerëzit,
që i rrethojnë. 3. Edukimi me frymën e vërtetësisë e të lirisë. Mesazhi
nënvizon se është tejet i nevojshëm edukimi me frymën e së vërtetës e të lirisë. Fytyra
njerëzore e një shoqërie varet shumë nga kontributi, që jep edukimi për të mbajtur
gjallë pyetjen e përjetshme mbi të vërtetën, mbi vetë njeriun. Kush është njeriu?
Ç’kuptojmë me fjalën ‘e vërtetë’? Njeriu, shkruan Papa, e ka në zemër etjen e pashuar
për amshimin e për të vërtetën. Jo për të vërtetën e pjesshme, por të plotën, atë,
që është e aftë t’i shpjegojë njeriut kuptimin e jetës, ta sqarojë pse është krijuar
në ngjashmëri e sipas shëmbëlltyrës së vetë Zotit. Njohja e kësaj së vërtete të çon
tek respekti për çdo qenie njerëzore. Nga ana tjetër, vetëm në lidhje me Zotin njeriu
mund ta kuptojë edhe domethënien e lirisë së vet. Ky, saktëson, nuk është detyrim,
që lind nga një premtim, e as sundim mbi vullnetin e lirë. Njeriu që beson se është
absolut, se nuk varet nga asgjë e nga askush, se mund të bëjë gjithçka dëshiron, në
fund të fundit e humbet fare lirinë e vet. E sot rreziku kryesor, që e kërcënon lirinë,
është prania masive e relativizmit. Prej këndej, Papa i fton të rinjtë të ruhen nga
dashuria e tepruar për vetveten, nga relativizmi i tepruar, që të shtyn të mos pranosh
asgjë përfundimtare e ta matësh gjithë botën me kutin e vetvetes e të dëshirave vetjake.
Nuk duhet harruar se vetëdashja, nën dukjen e lirisë, bëhet burg, sepse e ndan njeriun
nga njeriu, duke e nxitur të mbyllet brenda vetvetes. Përdorimi i drejtë i lirisë,
shton Papa, ka rëndësi të dorës së parë, kur është fjala për mbrojtjen e drejtësisë
e të paqes, që kërkojnë respekt për vetveten e për tjetrin, edhe atëherë kur tjetri
jeton e mendon fare ndryshe. 4. Edukimi me frymën e drejtësisë. Edukimi
me frymën e drejtësisë është më se i domosdoshëm në një botë, e cila gjithnjë më shumë
shikon vetëm dobinë, përfitimin, pasjen, kujton Papa. Drejtësia nuk është thjesht
marrëveshje njerëzore: në të vërtetë ajo që është e drejtë, nuk përcaktohet nga ndonjë
kontratë, por nga identiteti i thellë i vetë qenies njerëzore, krijuar nga Zoti. Sot
disa nga rrymat e kulturës moderne, të mbështetura nga parime ekonomike racionalistike
e individualiste e shkëpusin konceptin e drejtësisë, nga rrënjët e tij transhendente,
gjë që ka si pasojë, shkëputjen nga dashuria e krishterë e nga solidariteti. 5.
Edukimi me frymën e paqes Nuk mund të themi se jetohet në paqe, vetëm kur nuk
ka luftë, shkruan Papa, e as kur sigurohet drejtpeshimi i forcave kundërshtare. Paqja
është fryt i drejtësisë dhe pasojë e dashurisë së krishterë. Mbi të gjitha, është
dhuratë e Zotit, por edhe vepër e njeriut, i cili duhet ta ndërtojë ditë për ditë
me duart e veta. Për të qenë veprimtarë të vërtetë të paqes, duhet të edukohemi me
frymën e dhembshurisë, të solidaritetit, të bashkëpunimit, të vëllazërisë, të jemi
vigjilentë e aktivë në bashkësi e t’i zgjojmë ndërgjegjet e përgjumura, kur është
fjala për të zgjidhur drejt çështjet themelore kombëtare e ndërkombëtare e, sidomos,
për të kërkuar mënyra të përshtatshme të rindarjes së pasurisë, vijimit të zhvillimit,
bashkëpunimit e zgjidhjes së konflikteve. Papa i fton të rinjtë ta kërkojnë drejtësinë
e paqen me durim e guxim, të radhiten gjithnjë përkrah së drejtës dhe së vërtetës,
edhe në se u duhet të flijojnë shumë, ose të shkojnë kundër rrymës. 6. T’i
lartojmë sytë kah Zoti Nuk janë ideologjitë ato, që do ta shpëtojnë botën,
pohon Benedikti XVI, por Hyji i gjallë, i cili është dashuri. E kush mund të na shpëtojë
vallë, përveç dashurisë? Papa, duke i ftuar të rinjtë ta shikojnë të ardhmen me më
shumë shpresë, u drejton, në fund, një thirrje të fuqishme: “Mos e humbisni shpresën
përballë vështirësive, e mos ecni në shtigje të verbra, që shpesh duken si rruga më
e lehtë për kapërcimin e problemeve. Mos kini frikë të impenjoheni, të përballoni
punë të vështira, të flijoheni. Ju vetë duhet të jeni shembull e nxitje për të rriturit,
e do të jeni, në se do të luftoni kundër padrejtësive e korrupsionit, në se do të
dëshironi ditë më të mira, në se do të impenjoheni për këto ditë. Të jeni të vetëdijshëm
për aftësitë tuaja; mos u mbyllni kurrë brenda vetvetes e mos kini frikë të luftoni
për një ardhmëri të ndritur, që u përket të gjithëve! Nuk jeni kurrë vetëm. Kisha
ka besim tek ju, ju ndjek e dëshiron t’ju japë ç’ka më të çmuar: mundësinë për t’i
lartuar sytë kah Zoti, për të takuar Jezu Krishtin, Atë që është vetë drejtësia e
paqja. Nga Vatikani, 8 Dhjetor 2011 BENEDICTUS PP XVI