2012-01-11 17:19:41

Imzot Fontana kërkon solidaritet për popullsinë e Tokës Shenjte që të mos ndjehet e braktisur


Në vigjilje të përfundimit të tij, shtegtimi i ipeshkvijve evropianë e amerikanë të Koordinimit për Tokën Shenjte, arriti sot në etapën e parafundit, pasi ka përshkuar disa etapa të tjera të rëndësishme. Është fjala për takimin vjetor të këtij ‘Koordinimi”. Të pranishëm, anëtarë të konferencave ipeshkvnore botërore, të cilët u takuan me bashkësitë e ndryshme fetare vendase, sidomos, me bashkësinë katolike. Një nga prelatët, kryeipeshkvi italian i Areco-Kortonë-Santosepolcro, imzot Rikardo Fontana, na i pëshkruan kështu, me telefon nga Gaza, ditët e para të shtegtimit, kur ipeshkvijtë u takuan me bashkësinë katolike:

Përgjigje: - Takuam në në Meshë bashkësinë katolike, që ishte e pranishme me shumicë. Pastaj katolikët na folën për vështirësitë më të mëdha, që lidhen kryesisht me pamundësinë për të dalë nga vendi. Mungon, natyrisht, edhe puna, ndjehen vështirësi të mëdha në komunikimim me jashtë e shumë familje jetojnë në mjerim.

Pyetje: - Familjet që takuat në Gazë, sigurisht kanë nevojë për solidaritet; por ç’tip solidariteti do t’u shërbente më shumë….

Përgjigje: - Kanë nevojë për atë tip solidariteti, që i ndihmon të mos ndjehen vetëm e të izoluar, në një mjedis me shumicë myslimane, e jo gjithnjë tolerante. Realiteti, që paraqitet më pozitiv, është ai i shkollave tona katolike, pikëtakimi për popullsitë me përkatësi të ndryshme. Është një punë, që bëhet me syrin e ngulur në të ardhmen.

Pyetje: - Si vijoi shtegtimi juaj?

Përgjigje: - Ne pastaj u rikthyem në Jeruzalem, ku punuam për pesë ditë. U organizua takimi i përfaqësuesve të Konferencave ipeshkvnore evropiane e veriamerikane. Vijuam ta studiojmë situatën, në mënyrë që të mund t’i njoftojmë episkopatet tona për ndihmat, që mund të japim, në përkim me nevojat e vendit. Është diçka tepër e bukur, sepse jemi të ftuar nga të gjithë ipeshkvijtë e Tokës së Shenjtë. Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Tval, është jashtëzakonisht aktiv në këtë veprimtari e po bën vërtet shumë, por shumë bëjnë edhe të tjerët. Me Rojtarinë e Tokës së Shenjtë kemi lidhje shumë pozitive, siç është e natyrshme, sepse janë vëllezërit tanë të vegjël françeskanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.