I lindur në vitin e largët 564, u zgjodh ipeshkëv i Melitenës, në Armeninë e lashtë,
ku kreu misione të rëndësishme diplomatike, në emër të Mauricit perandor, me të cilin
kishte lidhje farefisnore. Ndërmjet tyre, kujtohet posaçërisht misioni pranë Kosroes,
mbretit të persianëve, të cilin u mundua, por pa rezultat, ta kthente në fenë e krishterë.
Për këtë mossukses njoftoi edhe Papën Gregori i Madh, me të cilin shkëmbeu shumë
letra. Pas kthimit nga Persia, u vendos në Kostandinopojë, si drejtues shpirtëror
i perandorit, por pa u shkëputur për asnjë çast nga veprimtaritë kishtare. Më 597,
i sëmurë rëndë, perandori e emëroi ekzekutues të testamentit të tij, por Domiciani
i parapriu në jetën e pasosur, duke ndërruar jetë më 10 ose më 11 janar, rreth vitit
602. U varros në Kishën e Shenjtorëve Apostuj të Kostandinopojës, qytet ku nisi
të nderohej menjëherë si shenjt, me datën 10 janar. Reliket e tij, më vonë, u mbartën
në Melitene, në Armeninë e lashtë. Prej këndej, edhe emri “Shën Domiciani i Militenes”.