2012-01-08 09:21:54

Atë Lombardi: Udhëtimi i Papës në Meksikë shpresë për paqe kundër varfërisë e dhunës


Një nga veprimtaritë e Atit të Shenjtë për këtë vit, do të zhvillohet në mars, kur Papa Benedikti XVI do të shkojë në Kubë e në Meksikë, në një udhëtim jashtëzakonisht të rëndësishëm për të dyja vendet. Në këtë shtegtim apostolik përqendrohet komenti i sotëm javor i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Në ditën e parë të vitit të ri, ipeshkvijtë e Meksikës dhe ata të Kubës lajmëruan programin e udhëtimit të Papës në këto dy vende. Nuk ka nevojë të tërheqim vëmendjen mbi etapen kubane, meqenëse jubileu i Virgjërës së Caridad del Cobre kremtohet në një gjendje të veçantë historike e politike të ishullit të madh karaibik, por është e drejtë të flasim për arsyet e shumta e për domethënien e etapës meksikane për krejt kontinentin. Jo më kot, ajo është e para e udhëtimit.
Duke kremtuar më 12 dhjetor në Shën Pjetër, solemnitetin e Zojës së Guadalupes, Papa e bëri të qartë dëshirën e tij për të marrë pjesë në 200-vjetorin e pavarësisë së vendeve të Amerikës Latine. Foli me zjarr për “rrugën e integrimit” të këtij “kontinenti të dashur” e për “protagonizmin e tij në rritje në skenën botërore”, duke bërë të shihet horizonti i zhvillimit të plotë njerëzor dhe i “misionit kontinental” të “ungjillëzimit të ri”.
Kështu, tani, vendosi të shkojë në vendin më të populluar hispanjol, për ta vazhduar kremtimin së bashku me përfaqësuesit e episkopateve latinoamerikane, pikërisht në “Parkun e Dyqindvjetorit”, ndërtuar kohët e fundit, në qendrën e saktë gjeografike të Meksikës, në rrëzë të malit Cubilete, ku ngrihet shenjtërorja kombëtare e Krishtit Mbret, prej nga mund të përqafohet shpirtërisht krejt vendi.
Kush nuk preket nga dashuria e meksikanëve për Papën? Nga entuziazmi i tyre kur vijnë ta takojnë në Romë? Kush nuk e kujton pritjen triumfale që i patën bërë Gjon Palit II, në pesë udhëtimet e tij, kur ishte gjallë e gjatë muajve të fundit, edhe si relike shtegtare në tokën e tyre? 20 vjet më parë, duke lidhur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë, vendi njohu shpirtin e thellë katolik të popullit të vet. Papa Benedikti XVI e dinte se duhej të shkonte në Meksikë e zgjodhi një zonë, ku Paraardhësi i tij nuk mundi të shkonte. Është i njëjti mision, që vazhdon e zhvillohet. Udhëtimi i tij, qoftë nxitje për kapërcimin e varfërisë e të dhunës, pruftë shpresë e paqe për Meksikën e për gjithë Amerikën Latine”.







All the contents on this site are copyrighted ©.