2012-01-07 09:54:56

Liturgjia e Fjalës së Zotit Pagëzimi i Jezusit


Dëgjues të nderuar, ia përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës, që këtë radhë bie në përkim me solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan.
Këto ditë jemi kthyer në Betlehem sepse ndjenim urgjencën dhe nevojën për të shikuar, për të vështruar e dëgjuar edhe një herë mësimin e Krishtit: mësimin e Tij të parë të madh. E është gjë e bukur të bëjmë edhe një herë udhën e fesë e të besimit drejt Betlehemit, pse me siguri pak dritë na ka mbetur në sy e në zemër.
E ndërsa festa e Krishtlindjes largohet, mendoj se në çdonjërin prej nesh lind një nostalgji e madhe: në të vërtetë, të gjithë jemi ende shumë larg shpirtit të Betlehemit, nga i cili nuk na mbetët tjetër përpos një nostalgjie përvëluese të zjarrtë të një Krishtlindjeje të re për të kuptuar më tepër dhe për të jetuar më shumë propozimin e udhës së shpëtimit nga Zoti.
Koha ecën me të shpejt, fluturon e ne nuk mund të heqim dorë nga detyra e shqyrtimit dhe të kundrimit të tërë jetës së Krishtit në dritën e Shkrimeve të Shenjte biblike. E kështu, Ungjilli i kësaj së diele të solemnitetit Pagëzimit të Jezusit, na sjell përgjatë lumit të Jordanit e na paraqet Gjon Pagëzuesin, tashmë të rritur, i cili pagëzon, pret, përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve për takimin aq të pritur me Krishtin Shëlbues.
Gjon Pagëzuesi, sikur dëgjojmë nga tregimi ungjillor, pa frikë, paralajmëron të gjithë njerëzit se Zoti është afër: “Po vjen pas meje, një më i fortë se unë” (Mk 1,7). Këto fjalë i thotë edhe për ne për të na mbushur më gëzim e për të na përkujtuar se kuptimi i jetës dhe i çdo gjëje është pikërisht në këto fjalë e këtu: Zoti vjen! Jeta është pritje e Zotit. Këndej të jetosh do të thotë të presësh Zotin; të vdesësh do të thotë mos pritje më e Zotit.
Gjoni shton: “Unë nuk jam i denjë të përkulëm as për t’ia zgjidh lidhëzat e këpucëve të tija” (Mk 1,7). Të zgjidhësh të mbathurat ishte detyrë e skllavit!. Gjoni e ndjen kaq fortë distancën midis nesh e Zotit, e nuk gjen tjetër figurë apo imazh për të treguar habinë, mrekullimin e vet dhe tërë gëzimin e vet para Zotit që bëhet i afërt.
Po të mund të përjetonim edhe ne ndjenjat e Gjonit. Po të mund të provonim edhe ne mrekullimin dhe gëzimin para asaj që shohim e para asaj që dëgjojmë në këtë moment! Sikur të mund të ndjenim tërë madhështinë e të qenurit të krishterë e atë të takimit të Zotit, në saje të mëshirës së Tij Hyjnore që ka ndaj nesh falas. Feja ka nevojë për madhështi, për mrekulli, sepse feja është dhuratë. Mirëpo madhështia e mrekulli lindin nga përvujtëria e përvujtëria përherë është parakusht në të cilin njeriu mund të takojë Zotin në Jezu Krishtin.
Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë të cilën Liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e tij në lumin Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin.
Liturgjia e Fjalës
Lexim prej Librit të Isaisë profet (Iz 55,1-11)
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.” Fjala e Zotit!
Nga Ungjilli i Shenjtë sipas Markut (Mk 1,1-11)

Në atë kohë, Gjoni predikonte e thoshte:
“Pas meje po vjen Ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve: Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do ‘ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë”.
Gjatë atyre ditëve erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin e Shenjtë si një pëllumb duke zbritur mbi të. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: “Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur!” Fjala e Zotit!
E tani ju ftojmë ti dëgjoni leximet biblike të solemnitetit të Pagëzimit të Krishtit e pastaj komentin e leximeve biblike....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.