Njoftim i Papës: më 18 shkurt do të mblidhet Koncistori për emërimin e 22 kardinajve
të rinj.
Sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot
me besimtarë, Benedikti XVI njoftoi se më 18 shkurt do të mbajë një koncistor, për
krijimin e 22 kardinajve, 18 nga të cilët, me të drejtë zgjedhore. 16 nga kardinajtë
e rinj janë evropianë; 7 italianë, 4 nga Amerikat, 2 nga Azia. Në katekizmin e Solemnitetit,
para njoftimit për kardinajtë, Papa nënvizoi se Dëftimi i Zotit na mëson se vetëm
Jezu Krishti mund t’i japë njerëzimit dritën e domosdoshme, që ndriçon udhën. “Me gëzim
të madh njoftoj se, më 18 shkurtin e ardhshëm, do të mbaj një koncistor, në të cilin
do të emëroj 22 Anëtarë të rinj të Kolegjit Kardinalor”. Ky ishte njoftimi
i rëndësishëm i Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit të
Dëftimit të Zotit. Papa kujtoi se kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Pasardhësin
e Shën Pjetrit në kryerjen e shërbimit të tij, për t’i përforcuar vëllezërit në fe
e për të qenë zanafilla dhe themeli i unitetit e i bashkimit në Kishë. Më pas, vetë
Papa lexoi emrat e kardinajve të rij, duke nisur nga kardinajtë me detyra në Kurien
Romake: Imzot FERNANDO FILONI, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve; Imzot
MA’NUEL MONTEIRO DE CASTRO, Kryependestar; Imzot SANTOS ABRIL Y CASTELLÓ, Kryeprift
i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe; Imzot ANTONIO MARIA VEGLIÒ, Kryetar
i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët; Imzot GIUSEPPE
BERTELLO, Kryetar i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe Kryetar i
Governatoratit të të njëjtit Shtet; Imzot FRANCESCO COCCOPALMERIO, Kryetar i Këshillit
Papnor për Tekstet Ligjore; Imzot JOÃO BRAZ DE AVIZ, Prefekt i Kongregatës për
Institutet e Jetës Rregulltare dhe për Shoqëritë e Jetës Apostolike; Imzot EDWIN
FREDERIK O'BRIEN, Pro-Mjeshtër i Madh i Urdhërit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të
Jeruzalemit; Imzot DOMENICO CALCAGNO, Kryetar i Administratës të Pasurisë së Selisë
Apostolike; Imzot GIUSEPPE VERSALDI, Kryetar i Prefekturës për Çeshtjet Ekonomike
të Selisë së Shenjtë; Lista vijon me kardinajtë, që i shërbejë dioqezave të ndryshme
nëpër botë: Fortlumturia e Tij, GEORGE ALENCHERRY Kryeipeshkëv i Madh i Ernakulam
- Angamaly i Siro-Malabarezëve në Indi; Imzot THOMAS CHRISTOPHER COLLINS, Kryeipeshkëv
i Torontos (Kanada); Imzot DOMINIK DUKA, Kryeipeshkëv i Pragës (Republika Çeke); Imzot
WILLEM JACOBUS EIJK, Kryeipeshkëv i Utrecht (Vendet e Ulëta); Imzot GIUSEPPE BETORI,
Kryeipeshkëv i Firences (Itali); Imzot TIMOTHY MICHAEL DOLAN, Kryeipeshkëv i Nju
Jorkut (SHBA); Imzot RAINER MARIA WOELKI, Kryeipeshkëv i Berlinit (Republika Federale
e Gjermanisë); Imzot JOHN TONG HON, Ipeshkëv i Hong Kongut (Republika Popullore
Kineze); Fortlumturia e Tij, LUCIAN MUREŞAN, Kryeipeshkëv i Madh i Făgăraş e Alba
Iulia-s të Rumunëve (Rumani). Së fundi, tre kardinaj të rinj nga bota akademike:
Imzot JULIEN RIES, Meshtar i Dioqezës së Namyr e Profesor nderi i historisë së feve
pranë Universitetit Katolik të Luvën; Atë PROSPER GRECH O.S.A. (Urdhëri i Shën
Agostinit), Docent nderi i disa Universiteteve romake e Këshilltar i Kongregatës për
Doktrinën e Fesë; Atë KARL BECKER, S.I., Docent nderi i Universitetit Papnor
Gregorian; Para se të jepte njoftimin për Koncistorin, Papa foli për Solemnitetin
e Dëftimit të Zotit, duke nënvizuar se e gjithë Koha e Krishtlindjes përshkohet nga
tema e dritës: “Jezusi është dielli, që u duk në horizontin e njerëzmit,
për të ndriçuar jetën personale të secilit nga ne e për të na prirë të gjithëve së
bashku drejt cakut të shtegtimit tonë, drejt tokës së lirisë e të paqes, në të cilën
do të jetojmë përgjithmonë, në bashkim të plotë me Zotin e me të afërmin”. Kisha,
tha Papa, është e thirrur të ngrihet në këmbë e të vishet përsëri me dritën e Zotit.
Vërejti, në vijim, edhe se bota, me të gjitha pasuritë e saj, nuk është në gjendje
t’i japë njerëzimit dritën e nevojshme, për t’i treguar rrugën e drejtë: “E
vërtetojmë këtë edhe në ditët tona: qytetërimi perëndimor duket se e ka humbur drejtimin,
lundron mes mjegullës. Por Kisha, në sajë të Fjalës së Zotit, shikon përmes mjegullnajave.
Nuk ka rrugëzgjidhje teknike, por e mban syrin ngulur në drejtim të cakut e u ofron
dritën e Ungjillit gjithë njerëzve vullnetmirë, të çdo kombi e kulture”. Në
përfundim, Benedikti XVI uroi Kishat Lindore të cilat, sipas Kalendarit Julian, e
kremtojnë nesër Krishtlindjen. E një urim, tejet të përzemërt, pjesëmarrësve në
procesionin historiko-folkloristik të Dëftimit të Zotit. Së fundi, një mendim
për ditën e sotme, kushtuar Veprës Papnore të Fëmijëve: “Të dashur fëmijë
e të rinj! Zemra juaj të jetë e hapur për botën, ashtu si Zemra e Jezusit, por mos
harroni të jeni të vëmendshëm edhe për atë, që jeton pranë jush, gjithnjë të gatshëm
për t’ia shtrirë dorën”.