2012-01-06 18:26:39

Krishtlindje në Kishat Lindore: reflektimi i ipeshkvit egjiptian, imzot Antonios Mina.


Nesër Kishat ortodokse dhe Kishat katolike të ritit-lindor, që ndjekin kalendarin julian, do të kremtojnë Krishtlindjen. Për këtë festë, në mikrofonin tonë, flet imzot Antonios Aziz Mina, ipeshkëv i Gazës në Egjipt:

Përgjigje: - Tek ne, në Lindje, festa e Krishtlindjes nuk është bërë festë e dyqaneve që, me dritat e tyre verbuese, e fshehin misterin e përvujtërisë së Zotit, siç e kujtoi Benedikti XVI, në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë Meshës Shenjte të mesnatës së Krishtlindjes. Është festë plot përshpirtëri, e besoj se duhet ta kremtojmë gjithnjë me këtë frymë. Ngjarjet, që bota jonë, për fat të keq, po i jeton ditë për ditë, nuk na ndihmojnë, përkundrazi, janë burim shqetësimesh për atë, që ka të bëjë me ardhmërinë e vendeve tona. Këtë e vërejmë çdo ditë, jo vetëm si të krishterë, por edhe si qytetarë. Krishtlindja është festa e paqes: Mbreti i paqes erdhi mbi tokë për ta vendosur këtë paqe, të cilën bota e humbet, sa herë që nuk i bindet urdhërimeve të Zotit, duke mbrojtur interesat e veta, në vend që të mbrojë interesat e të gjithëve. Duam, prandaj, që kjo Krishtlindje të na japë paqe, ashtu si na e jep Jezusi.

Pyetje: - Në Egjipt bashkësia e krishterë pësoi, vitin e kaluar, një atentat të tmerrshëm. Cila është atmosfera, që ndjehet në vend, Natën e Solemnitetit?

Përgjigje: - Mundëm të mësonim, pas revolucionit, se ministri i brendshëm kishte të bënte me këtë atentat, pikërisht për të krijuar përçarje ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Qeveria donte të ruante sundimin e, prej këndej, krijonte situata për minimin e unitetit të vendit. Sot jemi përballë forcave të tjera, që synojnë t’i sulmojnë kishat: çdo sulm i mundshëm, nuk drejtohet vetëm kundër të krishterëve, por kundër mbarë vendit, kundër unitetit të tij, e, prej këndej, si kundër të krishterëve, ashtu edhe kundër myslimanëve.

Pyetje: - A janë të shqetësuar besimtarët e bashkësisë së krishterë?

Përgjige: - Në vend ka pasiguri të përgjithshme. Vërejmë se sistemi i mëparshëm, në një farë mënyre, është i pranishëm e shikojmë se po përdoren të njëjtat rrugë, se sjelljet janë tepër të ngjashme. Prandaj mund të themi se revolucioni e ka ndryshuar pak e aspak gjendjen.

Pyetje: - Mesazhi, që u drejton Kisha në Egjipt, vëllezërve të feve të tjera?

Përgjigje: - Do të dëshironim që të gjitha festat të bëheshin një çast reflektimi, për të gjetur paqen e përbashkët. Mesazhi ynë është ai i dashurisë, që na e mëson Krishti, i cili erdhi mbi tokë për të na thënë një gjë të vetme: “Ju dua, e, në se më doni, duhet t’i doni edhe të tjerët”.









All the contents on this site are copyrighted ©.