2012-01-06 18:13:25

Kremtimi liturgjik i Pagëzimit të Zotit në Vatikan.


8 janar, festa e Pagëzimit të Zotit, duke respektuar traditën e papnisë së tij e të Papës Vojtila, Benedikti XVI do t’ i japë sakramentin e Pagëzimit 16 fëmijëve. Është e diela, në të cilën liturgjia na kujton Pagëzimin e Jezusit në lumin Jordan. Benedikti XVI do t’u japë sakramentin e parë të jetës së krishterë të sapolindurve, gjatë Meshës së paradites, në Kapelën Sikstine. Pagëzimet, në kapelën mahnitëse, afreskuar nga Mekelanxhelo, do të jenë kremtimi i parafundit i Kohës së Krishtlindjes. Fëmijët, të gjithë bij të nëpunësve të Vatikanit, do të shoqërohen jo vetëm nga prindërit, por edhe nga nunët e nunat, si dhe nga një grup i vogël familjarësh.
Riti i Pagëzimit do të kremtohet gjatë Meshës, kryesuar nga Papa, në bashkëkremtim me dy ipeshkvij, që do ta ndihmojnë edhe gjatë ritit të pagëzimit. Janë: imzot Féliks Blanko Prieto, Lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij dhe imzot Luçiano Suriano, Nunc Apostolik-Delegat për Përfaqësitë Papnore.
Mesha Shenjte do të kremtohet në elterin e veçantë të Kapelës Sikstine, për të mos cënuar bukurinë dhe harmoninë e kësaj stolie arkitektonike, siç parashikohet nga normat liturgjike në fuqi, e duke ruajtur strukturën, në këndvështrimin kremtues. Kjo do të thotë se në disa çaste Papa, së bashku me besimtarët, do t’i drejtohet Krishtit, duke nënvizuar kështu orientimin kah Zoti, karakteristik për Liturgjinë Eukaristike.
Kremtimi do të zhvillohet, si zakonisht. Benedikti XVI, gjatë ritit të Pagëzimit, do ta hedhë ujin mbi kokën e të vegjëlve, duke përdorur një guaskë të praruar, Gjesti ka një domethënie të pasur. Sipas këndvështrimit liturgjik, guaska e detit të kujton shtegtimin, duke simbolizuar shtegtimin e ri, që nisin të pagëzuarit, menjëherë pasi hyjnë në bashkësinë e besimtarëve.
Shërbimi liturgjik do të kryhet nga studentët e Pre Seminarit Vatikanas “Shën Piu X”.








All the contents on this site are copyrighted ©.