Dëftimi i Zotit është thirrje: askush të mos ketë frikë nga Krishti!
Askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij: kjo është thirrja për jo
të krishterët, që vjen nga festa e sotme e Dëftimit të Zotit. Shfaqja e Krishtit
para Mbretërve Dijetarë përfaqëson edhe Dëftimin e Kishës dhe të misionit të saj universal
para botës. Pra, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit kremtojmë dëftimin e Krishtit
para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë, të ardhur nga Lindja.
Kremtojmë Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtegtimit të popujve në kërkim të shpëtimit.
Liturgjia e Kishës sot vë në dukje se kanë kaluar mbi 20 shekuj që kur një mister
i tillë u zbulua dhe u realizua në Krishtin, por ai akoma nuk është përmbushur krejtësisht,
prandaj misioni i Kishës është akoma në fillimet e veta. Krejt Koncili II i Vatikanit
pati në bazë qëllimin e vetëm për t’i shpallur njerëzimit bashkëkohor Krishtin, dritën
e botës. Në Koncilin e përmendur nga zemra e Kishës, duke filluar nga personalitetet
më të larta të hierarkisë, doli si e domosdoshme, nxitur nga Shpirti i Shenjtë, dëshira
për një dëftim të ri të Krishtit në botë; në një botë, që epoka moderne e kishte shndërruar
thellësisht e, që për herë të parë në histori gjendej para sfidës së një qytetërimi
global, ku qendra nuk mund të ishte më Evropa e as ata që quhen Perëndim apo Veri
i botës. Dilte kështu kërkesa për të gjetur jo vetëm një rend të ri politik dhe
ekonomik, por njëkohësisht edhe shpirtëror e kulturor. Në fillim të mijëvjeçarit të
tretë, gjendemi në thelb të kësaj faze të historisë njerëzore, e tematizuar rreth
fjalës “globalizim”. Një sfidë e vështirë, pikërisht sepse jemi të përfshirë në të:
një rrezik i forcuar shumë nga përhapja e jashtëzakonshme e mas-mediave, të cilat
shpesh në vend që ta përmirësojnë, duket se e dobësojnë aftësinë tonë për të qenë
dritë e kripë e epokës ku jetojmë. Pra nga Koncili II i Vatikanit po përmendim mesazhet,
që etërit konciliarë i drejtuan njerëzimit: i pari u drejtohej qeveritarëve, i dyti
njerëzve të shkencës. Këtyre dy kategorive, dokumenti “Nostra Aetate” u shton edhe
kategorinë e tretë të njerëzve. U referohet udhëheqësve shpirtërorë të feve të mëdha
jo të krishtera. Pas 2 mijë vjetësh, në figurat e Mbretërve Dijetarë mund të njohim
një lloj paraqitje simbolike të këtyre tri përmasave, që përbëjnë njerëzimin modern:
përmasën politike, atë shkencore e atë fetare. Festa e Dëftimit të Zotit na i tregon
në shtegtim, pra në një moment kërkimi, që në fund të fundit, ka si pikë mbërritjeje
Krishtin. Edhe Zoti është në shtegtim drejt njeriut. Jezusi erdhi për t’u takuar
me njerëzimin. Për hir të dashurisë, Ai u bë histori brenda historisë së njerëzimit.
Prandaj Kisha në këtë solemnitet të Dëftimit, i fton me forcë përfaqësuesit e
traditave të mëdha fetare jo të krishtera të konfrontohen me dritën e Krishtit, i
cili nuk erdhi në botë për të zhdukur, por për të çuar deri në fund, atë që dora e
Zotit ka shkruar në historinë fetare të qytetërimit botëror, sidomos në shpirtrat
e mëdhenj, që kanë kontribuar në përparimin e njerëzimit me diturinë dhe shembullin
e tyre të virtytshëm. Krishti është dritë dhe drita nuk mund të errësojë, por vetëm
të ndriçojë, të qartësojë, të zbulojë. Prandaj, askush të mos ketë frikë nga Krishti
e nga mesazhi i Tij! E nëse në rrjedhën e historisë, të krishterët, duke qenë njerëz
me kufizime e mëkatarë, e kanë tradhtuar nganjëherë me sjelljet e tyre, kjo vë akoma
më shumë në dukje se drita është Krishti e se Kisha e reflekton këtë dritë vetëm duke
mbetur e bashkuar me Të. Këtu na vjen në ndihmë pikërisht shembulli i Mbretërve
Dijetarë. Ata e kishin parë kometën, por kjo nuk do të kishte mjaftuar, nëse ata nuk
do të kishin qenë njerëz të gatshëm t’ia hapnin zemrën së Vërtetës që gjeten në Foshnjën
e Betlehemit. Ashtu si Dijetarët, edhe ne jemi të thirrur t’ia hapim mendjen dhe zemrën
Krishtit. E Kisha sot të gjithë njerëzve të kohës sonë u thotë: mos kini frikë nga
drita e Krishtit! Drita e tij është shkëlqimi i së vërtetës. Ndriçohuni prej tij,
o popuj të botës; lini që t’ju mbështjellë me dashurinë e tij e do të gjeni rrugën
e paqes.