Dita misionare e fëmijëve, me temë: “Edhe ti, si Jezusi”.
Bie sot Dita Misionare e Fëmijëve, që kremtohet në shumë vende të botës. Sivjet u
përqendrua tek tema: “Edhe ti, si Jezusi”. Eshtë një ftesë, drejtuar fëmijëve, për
t’u bërë protagonistë të jetës së tyre, duke i zgjedhur rrugët e jetës në gjurmët
e Jezusit. Kremtimi tërheq vëmendjen edhe mbi një nga bazat kryesore të përshpirtërisë
së krishterë të çdo kohe e të çdo vendi: mbi përpjekjen për t’i përngjarë Jezu Krishtit.
Nuk duhet shumë pjekuri, për të hyrë në Misterin e Vetjes së Jezusit. Duhet kujtuar
se edhe Ai ishte fëmijë, i thirrur të rritet, të fitojë pjekuri, maturi, dituri e
hir; të gjitha përmasat njerëzore, që duhen, për të qenë dëshmitar. E sa më e ndërlikuar
nga modat e teknologjitë të duket mosha e fëmijërisë në kohët tona, aq më shumë besojmë
se Shpirti Shenjt do t’i frymëzojë fëmijët të jetojnë jo si të krishterë të vegjël,
por si të krishterë të vërtetë e apostuj të vërtetë.