Çelësi i fjalëve të Kishës: reflektim mbi kuptimin e fjalës “fe” për të krishterë!
Duke marrë shkas nga komunikata e sotme për Vitin e Fesë, po ju propozojmë një reflektim
mbi kuptimin e fjalës “fe” për të krishterët. ”Tani veç mbetet feja,
shpresa e dashuria –këto të tria” (1 Kor 13,13). Më këtë frazë drejtuar Korintianëve,
shën Pali Apostull përcaktonte tri virtytet teologale, të cilat nisin me fenë e arrijnë
kulmin me dashurinë. Të flasësh për fenë do të thotë të mbushësh faqe e faqe të tëra,
pasi ajo është shpirti i besimit në Zotin e boshti i Biblës. Ne do të përpiqemi ta
shpjegojmë – në mënyrë të kufizuar – duke paraqitur disa çifte fjalësh tematike. I
pari është ai, që bashkon fenë me Hirin hyjnor. Parësor në këtë çift është
pa dyshim Hiri, shprehje e dashurisë hyjnore. Njeriu, i shndritur dhe i nxitur nga
Hiri hyjnor, i përgjigjet Zotit lirisht, duke e pranuar, ose duke e refuzuar. Pranimi
i Zotit është feja, ”pìstis” në greqishten e Besëlidhjes së Re, që do të thotë pikërisht
ta pranosh dashurinë e ta kthesh atë. Ky përqafim e shndërron njeriun, sepse Zoti
dikon në të ”Shpirtin” e vet, jetën e vet, duke e bërë bir në shpirt. I vjen kështu
radha çiftit të dytë, feja e besimi. Fjala hebraike që do të thotë besim, është
në bazën e fjalës sonë ”amen” e tregon mbështetjen plot besim në fjalën e në praninë
e një personi. Feja ka natyrisht një përmbajtje objektive, që na është zbuluar përmes
Biblës e është thelluar nga Tradita e krishterë, por është edhe pranimi subjektiv
i një personi. Nuk është vetëm ”fjalë”, por edhe ”rrugë” jete, si udha dramatike e
Abrahamit, i cili i ngjitet malit Moria, duke i besuar e duke iu bindur Zotit, megjithëse
fjala e tij i dukej e errët dhe e mistershme (Zan 22; Heb 11,8). Feja e arsyeja
është çifti i tretë, shumë i dashur për Papën Benedikti XVI, por edhe titull i një
enciklike të të Lumit Gjon Pali II (1998). Në Letrën drejtuar Hebrenjve thuhet se
”feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet, të njihen sendet që
nuk shihen”(11,1). Pra, nga njëra anë, është t’ia besosh veten shpresës e, nga ana
tjetër, është ”prova” apo ”argumentum”, siç e quante shën Jeronimi, i pasuar më vonë
nga Dante, i cili e perifrazon kështu Biblën: ”Fe e substancë e gjërave të shpresuara,
dhe argument i atyre që nuk shihen”(Kënga e Parajsës XXIV, 64-65). Shën Agustini pohonte
se ”feja, nëse nuk mendohet e argumentohet, nuk është asgjë”. Çifti i fundit është
ai i fesë dhe veprave, një lidhje themelore për shën Palin Apostull. Sipas
tij, nuk janë veprat tona që na shëlbojnë, pasi shëlbimi është ”shumë më tepër”, na
bën pjesëmarrës në jetën hyjnore. Ja teza e tij, përshkruar më së miri në Letrën drejtuar
Galatasve: ”Njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje
të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë
nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse ’askush nuk mund ta fitojë drejtësinë’
me anë të veprave të Ligjit” (2,16). Pra, veprat nuk janë shkak, por fryt i shëlbimit:
”Fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia,
besnikëria, butësia, përkormëria” (Gal 5,22-23). Por, edhe shën Pali i konsideron
të nevojshme veprat, pasi ato tregojnë vërtetësinë e fesë së njeriut, siç shihet nga
frytet, që bëjnë të lindin në zemrën e tij, shenjë e qartë e fesë. Shën Jakobi e thekson
më tej këtë aspekt, duke nënvizuar se feja e njeriut shihet pikërisht nga veprat e
tij. Në Letrën e Jakobit shkruhet: ”Ç’dobi… nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë
se nuk i ka veprat?... A dëshiron ta kuptosh, more qyqar, se feja pa vepra është e
pafrytshme?... A po shihni se njeriu shfajësohet me vepra e jo vetëm me fe” (2,14-24).
Pavarësisht nga rëndësia e veprave, vendimtare mbetet feja, pa të cilën besimi në
Tënzonë reduktohet në moralizëm dhe në manifestim ritual e shoqëror. Na e tregon këtë
edhe vetë Krishti, i cili para se të bënte mrekulli, i kërkonte personit të kishte
fe. ”Feja jote të shpëtoi” i thotë të verbërit, që i kërkon ta shërojë. E i
verbëri pa. Edhe në fjalimin e tij të parë publik, Jezusi bën thirrje: ”Kthehuni
e besojini Ungjillit” (Mk 1,15), thirrje e vlefshme sot e kësaj dite për të gjithë
njerëzit.