Kujtojmë 457 vjetorin e botimit të ‘Mesharit’ të don Gjon Buzukut
Si sot, më 5 janar 1555 prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari
Mesharin e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si
i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori, don Gjon Buzuku
shkruan në parathënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555. Siç
pohuam, deri më sot nuk njihet një tjetër libër më i vjetër, i shtypur, në gjuhën
shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende sot janë mjaft të diskutueshme.
Sidoqoftë vepra e Mesharit mbetet monument i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar
për ta shpëtuar popullin nga rreziku i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar
e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe
me dritën e qytetërimit perëndimor. Meshari i Buzukut, siç thekson vetë autori,
u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë” -
nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt”, por kryesisht “en sëh dashunit
së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon Buzuku na jep të
dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit, ndjehej mungesa
e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e krishterë, për ta njohur e edukuar
popullin në fenë e vet. Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe baritore dhe i frymëzuar
nga llojet e librave liturgjike që qarkullonin në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën
një përgatitje dhe përpilon një libër me pjesë të ndryshme të liturgjisë e të biblës,
që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë për kremtimin e Meshës e të Sakramenteve
tjera apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit,
i mungojnë disa faqe: atë të fillimit e disa tjer aty këty brenda vetë librit. Meshari
i Buzukut është kryesisht përkthim por ka edhe pjesë autentike të shkruara nga dom
Gjon Buzuku si dhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom
Pjetri e tjerë, siç dëshmohet brenda disa faqeve të kësaj vepre. Meshari i Buzuku
është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë e këndej quajmë COMES, apo Epistolar,
Leksionar siç i quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesë të Biblës
e lutje të ndryshme për t’u lexuar në Meshës gjatë vitit liturgjik kishtar, gjatë
kremtimit të Sakramenteve e tjera, çka përmban edhe Meshari i Buzukut. Në të vërtet
në këtë vepër COMES kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve,
disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë
tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të
luajtshme e të paluajtshme. Vështirë të përmbledhësh në pak rreshta vlerën e një
libri me histori e vlerë të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që
ruhet në bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Studiues të shumtë i kanë kushtuar gjurmimet
e studimet e tyre si Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli
, , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj ,E. Sedaj, V. Putaneci,
T. Lladani e tjerë. Po nënvizojmë edhe faktin se vepra e ‘Mesharit’ të Buzukut
është zbuluar për herë të parë më 1740 në Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan
nga një tjetër prift katolikë shqiptar, dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit
nga Gjakova. E sivjet, në kuadrin e kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,
në nëntorin e ardhshëm, ‘Meshari’ i Buzukut do të shkojë për herë të parë nga Vatikani
në Vendlindje, e pikërisht në Tiranë ku do të ekspozohet për dy-tri javë për publikun
shqiptar.