2012-01-05 13:29:54

Filluan kremtimet e 950 vjetorit
të dioqezës së Sapës 1062-2012


Dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës, përuroi sot Vitin Jubilar të 950 vjetorit të themelimit 1062-2012, me kremtimin e Meshës solemne në Kishën Katedrale të së Lumes Nënë Terezë në Vaun-Dejës. Kremtimin Eukaristik e kryesoi ipeshkvi i Sapës imzot Lucjan Avgustini, në bashkëkremtim me Nuncin Apostolik në Shqipëri, imzot Ramiro Moliner Ingles, me Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkvin e Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirditën, me ipeshkvij tjerë shqiptar, meshtarë, rregulltarë, autoritete civile dhe një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të popullit të Zotit, ardhur nga të gjitha bashkësitë famullitare kishtare të dioqezës së Sapës e më gjerë.
Në vijim ju propozojmë ta dëgjoni homelinë që ipeshkvi Sapës mbajti sot në hapjen e këtij jubileu dioqezan, ta dëgjojmë imzot Lucjan Avgustinin...RealAudioMP3

Ja dhe me shkrim homelia e hapjes së Vitit Jubilar të 950 vjetorit të dioqezës së Sapës, mbajtur nga ipeshkvi vendor imzot Lucjan Avgustini, gjatë Meshës së Shenjtë kremtua më 05 janar 2012 në Katedralen e Lumja Nënë Terezë në Vau-Dejës, Shqipëri. Në të, ipeshkvi Avustini, përshkon historinë kishtare, kombëtare e shpirtërore me një nxitje për të gjithë: të takojmë Krishtin e Gjallë: udha, e vërteta dhe jeta!

Fort e nderuara shkëlqesia e Juaj, Nunci apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles, ardhja e Juaj në ditën e sotme në mesin tonë është dëshmi e afërsisë dhe dashurisë së Atit të Shenjtë të cilin Ju e përfaqësoni në vendin tonë, në Shqipëri. Për këtë më lejoni që të Ju falënderoj nga zemra për praninë Tuaj.
Fort i nderuari vëllezër në Episkopat Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkëv i Tiranë - Durrës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Zef Gashi, arqipeshkëv i Tivarit dhe Kryetar i Konferencës ndërkombëtare Shën Çirili dhe Metodi, ju jam mirënjohës dhe ju falënderoj nga zemra për ardhjen tuaj.
Fort të dashur vëllezër meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare
Shumë i nderuari kryetar i Bashkisë, Z. Gjon Marku
Vëllezër dhe motra, besimtarë të mi të dashur
Në këtë ditë të shënuar për Dioqezën e Sapës dëshiroj që së pari të falënderoj Hyjin e Gjithëpushtetshëm për këtë Vit që po na dhuron dhe gjatë së cilës na jepet mundësia e njohjes së dashurisë dhe përjetimit të mëshirës së Tij të pakufi. Sot, në këtë ditë, për dioqezën tonë të Sapës, edhe pse kanë kaluar shekuj të shumtë të jetës me besim në Krishtin, ndihet prapë freskia e lajmit të gëzuar se Krishti është Zot dhe fuqishëm jehon thirrja për kthimin e zemrës për ta përjetuar lumturinë e vërtetë të shëlbimit. Krishti Zot është themel dhe qendër e historisë, është kuptimi dhe qëllimi i fundit. Atij i qoftë lavdi, sot e përgjithmonë në shekuj të shekujve.
Çdo strukturë, institucion, send apo njeri e ka një zanafillë që përcakton moshën ose vjetërsinë e saj. Ndër krahasimet që zakonisht përdoren për të treguar themelimin në të kaluarën si mënyrë identifikimi në të sotmen, thonë: “jemi shumë të rinj dhe njëkohësisht të vjetër.” Epiteti “ I ri ” i atribuohet moshës së personit ose gjallërisë së tij apo të popullit që i përket, ndërsa “I vjetër” i atribuohet vendit ku banon ai dhe ku kanë banuar të parët e tij. Këto dy fjalë përshkruajnë vitalitetin dhe autoktoninë që do të thotë përshkruajnë jetën në tërësinë e plotë të saj. Kështu mund të themi edhe për jetën e Dioqezës së Sapës. Ajo është aq e re, aq sa edhe e vjetër.
Duke iu referuar të dhënave në Annuario Ponteficio, të dhënat zyrtare të Kishës Katolike në botë, atëherë viti themelimit të dioqezës së Sapës është viti 1062. Në këtë vit të bekuar të Vitit të Zotit 2012 mbushen plotë 950 vjet të themelimit të saj.
Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur nga faqja e dheut, kanë mbetur vetëm rrënojat e Kishës Katedrale të Shën Mihillit. Kjo për arsye të luftërave dhe pushtimeve që ka pësuar populli dhe vendi ynë. Në fillim e rrënuan tartarët rreth vitit 1240, pastaj më vonë osmanët por edhe fatkeqësitë natyrore, tërmetet. Por, selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë gjatë të gjitha vështirësive dhe ajo sot vazhdon jetën e saj, dhe po i mbush 950 vjet jete e besim në Krishtin Zot, duke i qëndruar besnik Zotit, Papës (Selisë Shenjte) dhe duke u vu në shërbim të besimtarëve për shëlbimin e shpirtrave. Kjo është Kisha e Krishtit e moçme në ekzistencën e saj dhe e re në veprim për të mirën dhe shpëtimin e njerëzimit.
Fjala e Zotit që sot e dëgjuam ka për të gjithë ne një porosi. Sepse edhe sot, të gjithë kemi nevojë për mësim, këshill dhe forcë prej Hyjit.
Izaia profet në leximin e parë na porosit se është Shpirti i Zotit që sjell lajme të gëzueshme, që shëron ata që kanë zemrat e plasura, sjellë lirinë dhe shpallë vitin e hirit të Zotit. Realizimi i asaj çka paralajmëron Izaia profet bëhet i dukshëm dhe realizues me ardhjen e Birit të Zotit në mesin tonë.
Në fjalën e rastit të mbylljes së vitit që kaloi papa Benedikti XVI na drejtohet me këto fjalë: “Në historinë e njerëzimit, përplot me padrejtësi, me ligësi, e me dhunë, hyn me vrull të pandalshëm lajmi i ri, i gëzueshëm e çlirues i Krishtit Shëlbues i cili, përmes misterit të mishërimit e të lindjes së tij, na bën të kundrojmë mirësinë e dashurinë e vetë Hyjit. Zoti i amshuar hyri në historinë tonë, erdhi mbi tokë, për t’ia ndryshuar faqen, për ta çliruar nga mëkati e nga vdekja, për ta lartësuar njeriun në dinjitetin e birit të Hyjit. Zoti hyri në kohë, për ta çliruar kohën nga pakuptimësia e saj, nga ligësia, duke i hapur një perspektivë të re, atë të dashurisë së amshuar”.
Shën Pali, në letrën drejtuar Romakëve, na porosit që të mos i përshtatemi parimeve të shekullit por të dimë të dallojmë vullnetin e Hyjit, atë çka është e mirë, atë çka i pëlqen Atij. Posaçërisht apostulli na porosit në dashuri, kujdes dhe shërbim ndaj njëri tjetrit. Askujt të mos i kthehet e keqja me të keqe. Sa kemi nevojë për këtë mësim. Sa na duhet të mësojmë prej kësaj porosie posaçërisht duke i pasur parasysh ato dobësi dhe të këqija që dominojnë në popullin tonë sikurse është fjala për hakmarrjen, gjakmarrjen, vrasjen... Askujt të mos ia kthejmë të keqën me të keqe!
Jezu Krishti në ungjillin e Shën Gjonit që e dëgjuam na porositë që të qëndrojmë në dashurinë e tij. Do të mundemi të qëndrojmë, të jemi të Krishtit vetëm atëherë kur dimë ti mbajmë urdhërimet e Atit. Duke i mbajtur urdhërimet e Atit, jeta e jonë do të gjejë gëzimin e plotë.
Besimtarë të dashur, nuk ka gëzim, nuk ka lumturi më të madhe se sa të jesh mik me Krishtin Zot. Papa Benedikti XVI na fton, që çdo i krishterë të ketë miqësi të thellë me Jezusin. Feja e krishterë nuk është tjetër, veçse miqësi me Jezusin. “S’ka gjë më të bukur, sesa ta njohësh Jezusin e t’ia komunikosh edhe të tjerëve miqësinë me Të”. Nuk duhet të kemi frikë për t’ia hapur zemrat miqësisë me Jezusin: miqësi që nuk kërkon shumë, por që të jep gjithçka.
Në ditën e sotme, në fillim të këtij Viti Jubilar dëshiroj të ju jap një porosi!
Së pari duke e shikuar botën e sotme post-moderne e cila po kalon një krizë të madhe, të vështirë e të thellë dëshiroj të theksoj se janë krijuar zbrazëtira dhe humbje vlerash njerëzore dhe kështu gjithnjë e më shumë po rritet numri i njerëzve pa rrënjë, pa baza të sigurta e të forta për jetën. Ndihet nevoja shumë e madhe për të pasur një themel të sigurt, mbi të cilin duhet ta ndërtojmë jetën. Kisha dëshiron t’u japë një përgjigje të qartë nevojave të njeriut të sotëm: themeli, baza ekziston dhe emrin e ka Jezu Krisht!
Për këtë arsye Viti Jubilar duhet të jetë për të gjithë ne vit i hirit të Zotit, rrugë e sigurt që na ndihmon për ta takuar Zotin. Gjatë këtij viti në këtë ecje Jubilare secili prej nesh personalisht duhet ta takojë Krishtin e gjallë.
Nuk mundem si ipeshkvi i juaj që të mbylli sytë para të këqijave dhe plagëve të mënyrës të të jetuarit sot, po përmendi vetëm disa: sikurse janë prania e drogës, alkoolit, rritjes së kriminalitetit, lojërat e fatit apo në kompjutra nëpër kazinotë e vendeve tona, korrupsionet dhe mashtrimet, etj. Nuk mundë që të mos lëshoj zërin fuqishëm në thirrjen e Zotit tonë Jezu Krishtit që ta duam njëri tjetrin, fjalën e kam për praninë e të keqes së hasmërisë dhe dëshirave për hakmarrje dhe gjakmarrje që dominojnë në zemrat dhe mendjet e shumë vëllezërve dhe motrave. Një mënyrë e tillë e jetës nuk na afron por na largon prej Zotit dhe prej njëri-tjetrit. Këto fenomene negative personale apo të bijve tanë si pasojë gjithnjë e më shumë po sjellin rrënim, shkatërrim, vuajtje dhe dhimbje për individin, familjen dhe shoqërinë, këto e bëjnë jetën të vështirë, të padurueshme, e bëjnë jetën ferr.
A ka rrugëdalje? Po. Rrugëdaljen prej gjithë kësaj situate e gjejmë vetëm me besim në Zotin dhe në zbatimin e urdhërimeve të tija. Jezu Krishti është Shpëtimtari i njeriut dje, sot dhe në amshim. Ai na e ka sjellë dritën e vërtetë që ndriçon çdo njeri dhe vetëm të ndriçuar prej Tij me besim dhe bindje ne e gjejmë lumturinë dhe gëzimin e vërtetë.
Papa Benediktit XVI në Letrën apostolike “Porta fidei”, thekson nevojën e ri zbulimit të rrugës së fesë. “Feja e bën njeriun frytdhënës, sepse ia zgjeron zemrën, e mbush me shpresë. Vetëm duke besuar feja lulëzon e forcohet: nuk ka asnjë mundësi tjetër për të pasur sigurinë e jetës. Fe do të thotë të vendosësh të rrish me Zotin, të jetosh me Të, gjë që kërkon edhe dhënie dëshmie e impenjim publik.
Prandaj vëllezër dhe motra Ju bëj thirrje të gjithëve që gjatë këtij Viti Jubilar të pajtohemi me Zotin dhe njëri tjetrin. Të largojmë çdo ndjenjë të hakmarrjes apo gjakmarrjes, të largojmë inatet dhe ndasitë që na pengojnë ta takojmë. Pajtimi me Zotin dhe njeri tjetrin, falja dhe dashuria, takimi me Krishtin Zot është trashëgimia dhe pasuria në këtë Jubile.
Më lejoni, besimtarë të mi të dashur, që në këtë ditë të kujtimit të shugurimit ipeshkvnor së bashku me ju ta falënderoj të Madhin Zot për hirin që më ka dhuruar që më ka zgjedh për bari të kësaj dioqeze të Sapës, pasardhës i ipeshkvit martir Imzot Gjergj Volaj, moton e të cilit e kam zgjedhur edhe unë që të më udhëheq në punën time baritore “In virtyte Dei – Me ndihmën e Zotit” dhe që duke e kërkuar gjithmonë ndihmën dhe ndriçimin e tij këtë që po fillojmë të mundemi edhe ta kryejmë në nder dhe lavd të Madhit Zot dhe për shëlbimin e shpirtrave.
Uroj që secili duke ia filluar nga unë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret dhe i gjithë populli i Zotit të kemi një takim personal me Hyjin e mishëruar dhe ky takim të sjellë në jetë gëzim, shpresë dhe fuqinë e dëshmisë së besimit sikurse na kanë mësuar martirët dhe të parët tanë. AMEN!







All the contents on this site are copyrighted ©.