2012-01-05 14:49:29

Epifania, ose Dëftimi i Zotit: koment i eprorit të Augustinianëve të zbathur


Me zanafillë nga Lindja, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, që Kisha Katolike kremton më 6 janar, pra, nesër, e merr kuptimin nga vetë emri: “epifani”, ose “dëftim”, zbulim. Latinët e quanin “festivitas declarationis”, ose “apparitio”, pikërisht për të theksuar dëftimin e hyjnisë së Krishtit para botës pagane përmes adhurimit të Dijetarëve, para judejve përmes pagëzimit në ujrat e lumit Jordan dhe para dishepujve përmes mrekullisë së shumëfishimit të bukës e të peshqve në dasmën e Kanës. Ardhjen e Dijetarëve, pavarësisht nga përpjekjet për gjetjen e bazës historike, mund ta konsiderojmë, së bashku me Etërit e Kishës, simbol dhe manifestim i thirrjes për shëlbimin e popujve paganë. Mbretërit Dijetarë tregojnë se Ungjilli, vërtet u duhet predikuar të gjithë njerëzve. Sipas traditës, ata, duke ndjekur yllin kometë, vijnë nga Lindja, ku Epifania konsiderohet “festë e dritave”, për t’i bërë dhurata Foshnjës Hyjnore.
Nesër paradite, Papa Benedikti XVI do të kremtojë Meshën e Shenjtë në Shën Pjetër e do të shugurojë dy ipeshkvij të rinj: nuncin e ri apostolik në Irlandë, imzot Çarls Xhon Braun dhe nuncin e ri në Gjeorgji e Armeni, imzot Marek Solçinski. Mbi rëndësinë e Solemnitetit të Dëftimit të Zotit për Kishën Katolike, të dëgjojmë eprorin e përgjithshëm të Urdhërit të Augustinianëve të zbathur, atë Gabriele Ferlisi:
Në ciklin e vitit liturgjik, Dëftimi i Zotit, apo Epifania, ka një vend të rëndësishëm. Vërtet, nëse Krishtlindja mund të konsiderohet si Dëftimi i parë i Jezusit, që duket para krejt popullit të Izraelit, simbolizuar nga barinjtë, kjo festë e Epifanisë, që kremtohet më 6 janar, është zbulimi i hyjnisë së Krishtit, i cili njihet nga popujt paganë, simbolizuar nga Mbretërit Dijetarë të Lindjes së Mesme. Prandaj, ka rëndësi të veçantë, sepse Zoti ynë Jezu Krisht nuk ka ardhur vetëm për popullin e Izraelit, por për krejt njerëzimin, që sheh në atë fëmijë, Birin e Hyjit. Vërtet, dhuratat e Mbretërve Dijetarë janë simbolike: ar, kem e mirrë. Ari, për të treguar faktin, që Jezusi është mbret; kemi, për të treguar hyjninë e Tij; mirra për të na thënë se Ai është edhe njeri: Fjala u bë njeri.
Si ta kremtojmë këtë Solemnitet në ditët e sotme?
Duhet ta shohim me sytë e fesë. Duhet të jemi vërtet si Mbretërit Dijetarë. Shën Augustini shpreh një mendim shumë të bukur në një predikim të tij mbi Dëftimin e Zotit. Ati i madh i Kishës shpjegon se Dijetarët e kërkuan Jezusin, duke thënë: “ku është Mbreti i Judejve, që ka lindur? Pamë yllin e tij në Lindje e erdhëm ta adhurojmë”. Komenti i shën Augustinit përmbahet në katër fjalë: “Lajmërojnë dhe pyesin, besojnë e kërkojnë”. Si për të simbolizuar ata, që ecin në rrugën e fesë e duan ta shohin Zotin. Është vërtet e nevojshme të rikthehemi tek përmasa më shpirtërore e jetës. Duhet që në Jezusin të mos shohim vetëm përmasën njerëzore, njeriun më të mirë e më të drejtë, të mos e lexojmë Ungjillin vetëm nga këndvështrimi sociologjik. Ndoshta sot, duhet të kthehemi tek një përmasë më e thellë e fesë, sepse pikërisht kjo po humbet. Të arrijmë ta shohim hyjninë e Krishtit, që Zoti vazhdon të na e dëftojë. Ai yll, që dijetarët e ndoqën deri në Betlehem, vazhdon të ndriçojë të gjitha ngjarjet e jetës e të historisë, të cilat, nëse interpretohen si duhet, na bëjnë ta shohim veprimin e Zotit në botë.
Ju folët për kthimin në përmasën shpirtërore të jetës. Po si mund të bëhet kjo sot?
Kjo është një temë shumë aktuale. Në muajin tetor të këtij viti, do të zhvillohet Sinodi për ungjillëzimin e ri e Kisha do të reflektojë pikërisht mbi këtë temë: si të kthehemi sot në përmasën shpirtërore e të bëhemi sërish aktivë. Është fjala për një ungjillëzim të ri, për një shpallje të re të Ungjillit, duke u nisur nga fillimi. Ashtu si ungjillëzimi i parë qe shpallja e parë e Ungjillit, sot, në një shoqëri të krishterë vetëm në dukje, duhet të nisemi nga fillimi. Natyrisht, është më e vështirë, sepse ekzistojnë paragjykime, por kjo duhet bërë e Kisha, me Sinodin e ardhshëm, do të shtrojë për zgjidhje këtë çështje: si duhet të fillojmë nga e para ne të krishterët, për t’u kthyer në përmasën shpirtërore e për ta shpallur Ungjillin më mirë e me më tepër forcë.







All the contents on this site are copyrighted ©.