2012-01-04 15:44:05

Solemniteti i Dëftimit të Zoti nesër në Vatikan.


Nesër Papa Benedikti XVI do të kryesojë në ora 9.30 Meshën Shenjte në bazilikën e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit.
Gjatë kremtimit eukaristik, menjëherë pas shpalljes së Ungjillit, parashikohet Shpallja solemne e Kumtimit të Pashkëve, kënduar nga diakoni.
Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Në këto rrethana, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit e dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen e ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shembëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Triditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur.
Shërbimi liturgjik do të kryhet nga seminaristët e Kolegjit Urbanian “Propaganda Fide”.Ati i Shenjtë do të shugurojë dy ipeshkvij të rinj: Nuncin Apostolik të Irlandës, imzot Çarl Xhon Braun dhe atë të Gjeorgjisë dhe Armenisë, Marek Solzhinski. Në ritin e shugurimit, kryesuar nga Papa, do të bashkëkremtojnë kardinajtë Tarçizo Bertone e Jozef Uiljam Levada. Gjatë ritit, kandidatët do t’i paraqesë kardinali Mark Ojè, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.