2012-01-04 14:56:04

Shqipëri: një vit kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë


Në Shqipëri aktivitetet kulturore gjatë këtij viti do t'i kushtohen një jubileu të rëndësishëm për vendin siç është 100-vjetori i Pavarësisë.
Institucionet artistike e kulturore në vend, që prej fundit të vitit që lamë pas, filluan të mendojnë kremtime me shfaqje, koncerte, ekspozita e etj që do t'i kushtohen këtij përvjetori të krijimit të Shtetit Shqiptar dhe historisë së tij.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të ngjisë në skenën e tij vepra shqiptare, të cilat janë interpretuar në mënyrë sporadike deri më sot. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Zhani Ciko, këto vepra do të vijnë gjatë këtij viti në mënyrë sistematike dhe me një vizion bashkëkohor.
"Do të sjellim në skenë faqe të rralla të muzikës sonë, jo thjesht nga ana e interesit artistik muzikor, por edhe nga ana historike. Mbase do të shërbejë ky vit për të rigjallëruar krijimtarinë tonë", është shprehur Ciko, në një prononcim për mediat.
Kalendari i aktiviteteve të Teatrit Kombëtare të Operas e Baletit, sipas Cikos, parashikon çdo muaj shfaqje dhe vepra, të cilat lidhen me përpjekjet e popullit për të ndërtuar shtetin shqiptar.
Për organizimin e veprimtarive festive është krijuar edhe një Komisioni Shtetëror, i cili së shpejti pritet të miratojë edhe logon e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar, sipas një konkursi të shpallur nga Galeria Kombëtare e Arteve. Ky institucion ka shpallur gjithashtu edhe konkursin për realizimin e veprës monumentale për këtë ngjarje historike shqiptare, e cila do të vendoset në kryeqytet, në një mjedis që ende nuk është vendosur.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe në kuadër të veprimtarive të Edukimit Shkencor, që në dhjetor të vitit 2011-të filloi ciklin e ligjëratave "Figura të shquara të shkencës shqiptare".
Drejtorja e re e Qendrës Kulturore "Tirana", Suela Konjari, ndër projektet e kësaj qendre gjatë këtij viti ka parashikuar edhe shpalljen e një konkursi për veprën më të mirë. Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Komedisë do të ngjisin në skenë gjithashtu vepra që i dedikohen Pavarësisë së Shqipërisë dhe historisë së krijimtarisë artistike shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.