2012-01-04 13:31:54

Papa: audienca e parë e përgjithshme e vitit 2012. Kisha të jetë dëshmitare e dritës Ungjillore


Krishtlindja është “pika në të cilën Qielli e toka bashkohen” duke i dhënë jetë asaj që shën Atanasi i Aleksandrisë e përshkruan si “shkëmbim të madhërishëm” ndërmjet hyjnores e njerëzores. Këtë e kujtoi Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së parë të përgjithshme të 2012-shit, mbajtur sot paradite, 4 janar, në Sallën e Palit VI në Vatikan. Papa duke propozuar përsëri disa nga temat që lidhën me kohën e Krishtlindjes, në mënyrë të veçantë vuri në pah përmasën e gëzimit që lindë nga “mahnitja e zemrës që sheh se si Zoti vepron në histori”. Ai – tha Papa – “bëhet kështu kaq i afërt sa të mund ta shohim e ta prekim”. Në atë Foshnjë nevojtar për gjithçka, vërtetë, “ajo çka është Zot: amshimi, forca, shenjtërimi, jeta, gëzimi, bashkohen me atë që jemi ne: ligështi, mëkat, vuajtje, vdekje”. Pasoja e parë e këtij “shkëmbimi të madhërishëm”, në saje të të cilit “i largëti është bërë i afërt”, vepron në vet njerëzimin e Krishtit.

“Fjala – nënvizoi Benedikti XVI – ka marr natyrën tonë njerëzore e, në shkëmbim, natyra jonë njerëzore është lartuar në dinjitetin hyjnor”. Nga kjo buron “pjesëmarrja jonë reale dhe intime në natyrën hyjnore të Fjalës”. Krishtlindja, pra, është “festë në të cilën Zoti bëhet kaq i afërt me njeriun sa të ndajë me të vet aktin e lindjes së tij, për t’i dëftuar e zbuluar dinjitetin e tij më të thellë: atë të të qenurit birë i Zotit”.

Kështu në audiencën e parë të përgjithshme të këtij viti, para mëse 10 mijë besimtarëve e shtegtarëve nga mbarë bota të pranishëm në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa Benedikti XVI së pari edhe një herë bëri “urimet e përzemërta” për vitin e porsafilluar, e pastaj përshkoi domethënien e “kohës liturgjike” që nis nga Nata e Krishtlindjes e deri në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, apo të festës së Ujit të Bekuar, siç quhet ndër shqiptarë kjo festë e krishterë.
Në katekizmin e sotëm Papa Ratcinger shpjegoi domethënien e “gëzimit” e të “misterit”, që për të krishterët, përshkruajnë dhe karakterizojnë këtë periudhë. Gëzimi e “drita” e Krishtlindjes, nënvizoi Benedilkti XVI, bëhen detyrë për Kishën: “Thirrja ‘zgjohu’, ‘vishu me dritë’, që përtërihet e përsëritet në festën e Dëftimit të Zotit – tha Papa Ratcinger – është një ftesë drejtuar Kishës, drejtuar bashkësisë së Krishtit, por edhe çdonjërit prej nesh, një thirrje për të marrë atë ndërgjegjësim të gjallë të misionit e të përgjegjësisë ndaj botës që është dëshmimi dhe bartja e dritës së re të Ungjillit”. “Kisha – nënvizoi Papa pasi citoi kushtetutën ‘Lumen Gentium‘ (Drita e popujve) të Koncilit të II të Vatikanit – nuk është dritë, pordritën e merr nga Krishti, e pranon atë për t’u ndriçuar prej saj dhe për ta përhapur në tërë shkëlqimin e saj”.
“Harku i ditëve të shkurta por intensive të kremtimeve” nga Krishtlindja deri te Dëftimi, shpjegoi Benedikti XVI, na përkujton se në Krishtlindje ne kremtojmë lindjen e Jezusit “si fakt historik”, e në Dëftim, kujtojmë lindjen e Jezusit si “aspekt të një misteri, të Zotit që zbulohet e dëftohet në natyrën e Krishtin”.
“Reagimi i parë para këtij Zoti që bëhet Foshnje nuk mund të mos jetë përveç se gëzimi”, pohoi Papa duke përmbledhur pastaj teologjinë e krishterë mbi natyrën hyjnore e njerëzore të Krishtit. “Të kundrosh misterin e Krishtlindjes e të Zotit të bërë njeri – tha akoma Benedikti XVI – do të thotë t’i përvetësosh ndjenjat e tij, mendimet e tij, veprat e tij, të tregosh haptazi gëzimin që kjo lindja ka sjell në jetën personale, e ta bësh vetveten bartës të gëzimit e të risisë së Krishtlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.