2012-01-04 14:55:52

L’Osservatore Romano: Papën mund ta kritikosh, por vetëm pasi ta kesh lexuar.


Pse mënyra si reflekton Benedikti XVI, shprehur qartë në librat e në fjalimet e tij, e, prej këndej, e lexueshme për këdo, që dëshiron ta kuptojë seriozisht, tepër shpesh nuk shikohet me syrin e njeriut, i cili dëshiron të zbulojë origjinalitetin e risinë e saj? Pse çdo gjë, që thotë Papa, u dashka të hyjë medoemos në skemat bajate të progresistëve ose të konservatorëve? Pyetjet i bën sot, lidhur me studimet e fundit kushtuar Papës Ratcinger, gazeta vatikanase L’Osservatore Romano. Editoriali i sotëm, shkruar nga profesoresha Luçeta Skarafia, pedagoge e historisë bashkëkohore pranë Universitetit romak ‘La Sapienza’, na kujton se të njëjtin fat pati edhe Papa i Koncilit, Pali VI, me botimin e Humanæ Vitæ. Të krijohet përshtypja se vizioni skematik i politikës bashkëkohore mundohet ta errësojë mundësinë për një interpretim të lirë që, natyrisht, mund të jetë edhe kritik, të kësaj papnie e cila, sido që ta gjykosh, nënvizohet në artikull, duket gjithnjë më befasuese e më interesante. “Sa vjet do t’u duhen historianëve për ta kuptuar këtë? Njëqind? Shpresojmë se jo”, vijon profesoresha Skarafia, e cila zbërthen posaçërisht tezat e vëllimit, botuar kohët e fundit, titulluar: “Kisha e antikoncilit. Tradicionalistët ripushtojnë Romën”, shkruar nga Giovanni Miccoli për Laterz-ën.
Një pretencë prokurori, denoncon L’Osservatore Romano, realizuar përmes konsultimit të një mase tekstesh e dokumentesh, bazuar mbi leximin e Koncilit II të Vatikanit, duke e parë si çast i parë i shkëputjes nga tradita e patundur shekullore. Për profesoreshën Skarafia, ky është një koncept historik i diskutueshëm, e jo vetëm i Mikolit, por edhe i historianëve të tjerë të Kishës, në veçanti, atyre të Vatikanit, të cilët, duke ecur në këtë rrugë, arrijnë, me lehtësi të çuditshme, në përfundimin që u intereson më shumë: tradicionalistët, me në krye Papën, po e rimarrin në dorë Kishën. Gjë që, duket qartë se nuk po ndodh.







All the contents on this site are copyrighted ©.