2012-01-03 15:29:56

SHBA: me “caucus”-et e Jouas, fillojnë primaret republikane


Filluan sot në shtetin e Jouas në SHBA-të, primaret e Partisë Republikane, nga të cilat do të dalë kandidati, që do të sfidojë Barak Obamën në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit të këtij viti. Ekonomia është argumenti kryesor i debateve. Sondazhet për fitimtarin e zgjedhjeve paraprake, brenda partisë, nuk japin rezultate të sigurta, por më i favorizuari është Mitt Romney, ish-guvernator i Masaçusets, i cili qe kandidat i republikanëve edhe para katër vjetëve. Megjithatë, qëndrimi i tij i moderuar përsa u përket temave shoqërore dhe feja e tij mormone nuk u pëlqejnë evangjelistëve dhe militantëve të lëvizjes “Tea Party”, pjesë e rëndësishme e bazës republikane. Sigurisht, nëse Romney fiton në Joua, shteti i parë amerikan, ku po zhvillohen primaret, ka shanse jo të pakta për t’u zgjedhur si kandidat edhe në shtetet e tjera. Në shtetin e dytë, ku primaret do të zhvillohen më 10 janar, në Nju Hempshajër, ai është në krye të listës së favoritëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.