Shenjta franceze Zhenëvievë,virgjër, emër që më pas, i përhapur në mbarë viset e krishtera,
nisi të shqiptohej Gjenovefë, duhet lindi në Nanterre në vitin 420. Shën Gjenovefa
(Zhenëvievë) kur ende ishte jashtëzakonisht e re iu përkushtua madje shugurua Zotit;
jeta e saj qe karakterizuar nga spiritualiteti i thellë dhe dashuria bamirëse. Shpesh
ndërhyri edhe në ngjarjet politike të qytetit të vet e përherë duke vepruar në dobi
të të varfërve. Ishte ajo që e shpëtoi Parisin nga hunët e Atilës në vitin 451.
Një vit më vonë vdiq e u varros mbi një nga kodrat e kryeqytetit francez. Mbi reliket
e saj në fillim u ngrit një monument i thjeshtë i cili, shekuj më vonë e pikërisht
në kohën e sundimit të Luigjit të 15-të, u shndërrua në abaci madhështore. Gjatë
periudhës së terrorit, jakobinët ia dhunuar reliket, duke e shndërruar Kishën në Panteonin
aktual, vend i varrimit të njerëzve më të shquar të Francës. Pas kësaj ngjarjeje,
kulti në nderim të shën Gjenovefës u ruajt në Kishën më të afërt, atë që njihet me
emrin Sent-Etienë-dy Mont. Emri Gjenovefa vjen nga keltishtja e do të thotë bardhoshe.
Simbolet e shenjtës, që njihet Pajtore qiellore e Parisit, janë qiriu e zambaku. Emri
Gjenovefë, shumë tingëllues, është mjaft i përhapur në të gjitha viset shqiptare.
Shkurtimi tij është Vefa e Vevi.
Mbi figurën e Gjenovefës nga rubrika radiofonike
e R.V. e 15 shkurtit 2008 “365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës”. 15
shkurt: Gjenovefa që shpëtoi Parisin nga uria Mbi Urën e Turnelës, në zonën
e pestë të Parisit, tek këmbët e një shtylle vigane, ndodhet një grup i vogël turistësh.
“Kush është ajo?” – pyet një vogëlush, duke treguar me gisht shtatoren e vendosur
në maje të shtyllës. “Është Shën Gjenovefa, Pajtorja e Parisit” - përgjigjet aty
për aty shoqëruesi. Në të vërtetë, Gjenovefa ka lindur në Nanterrë, në vitin 422,
nga një familje galo-romake. Ishte ende vajzë e vogël, kur ndjeu thirrjen e Krishtit,
e njëzet vjeçe, kur ia kushtoi gjithë jetën Hyjit”. “E Atila? – ç’ ka të bëjë me
këtë histori” - pyet padurueshëm një djalosh. “Aty do të dal… - e ndërpret shoqëruesi
- Kur Gjenovefa ishte tridhjetë vjeçe, hunët pushtuan veriun e Galisë, duke plaçkitur
të gjitha fshatrat nëpër të cilat kalonin. Arritën shumë shpejt tek portat e Parisit,
pasi kishin mbjell panik në të gjitha qytetet. Dukej se vetëm Gjenovefa nuk e kishte
humbur toruan: ia doli mbanesh të ruante qetësinë, edhe atëherë kur shqetësimi bridhte
rrugëve të qytetit, e t’i siguronte parizianët se hunët nuk do ta shtinin kurrë në
dorë Parisin. Ishte bijë e një ushtaraku, prandaj kishte arsye të besonte se hunët
nuk e kishin ndër mend të marshonin mbi qytet. Në se Zoti nuk dëshironte, ata nuk
do të sulmonin. Gjenovefa mblodhi disa gra, me të cilat filloi të lutet me gjithë
zemër; pak nga pak në qytet u krijua një zinxhir lutjesh e… hunët u larguan nga Parisi.
Kështu Gjenovefa u bë shumë e njohur në të gjithë qytetin. Por mrekullitë që bëri
vajza për Parisin, nuk mbarojnë me kaq. Kur frankët e rrethuan qytetin, ajo u vu në
krye të punës për furnizimin e popullsisë. Kur Parisi provonte zinë e bukës, ajo ndihmonte
më të varfrit e u siguronte të gjithëve ushqimin e nevojshëm. E po ajo ndërtoi bazilikën
e parë për të nderuar Shën Dënisin. Gjenofeva ia kushtoi gjithë jetën Hyjit e Parisit.
Kur Klodoveu, mbreti i frankëve, u pagëzua e zgjodhi Parisin si kryeqytet të mbretërisë
së tij, gëzimi i saj qe i jashtëzakonshëm…”. Shoqëruesi hesht për disa sekonda.
Ndërsa ai fliste, grupi është ngjitur mbi një kodrinë e tani ndodhet para Panteonit.“Gjenovefa
u varros pikërisht këtu, mbi këtë kodrinë” – vijon shoqëruesi. - Në fillim këtu ishte
një bazilikë kushtuar Shenjtorëve Apostuj. Pastaj Luigji XV ndërtoi një Kishë më të
madhe për nder të Shën Gjenovefës: është Panteoni, që shikoni para jush! Por monumenti,
i cili në fillim ishte Kishë, në kohën e Revolucionit francez u shndërrua në mauzole,
ku tani ruhen eshtrat e njerëzve më të shquar të historisë franceze. Gjithsesi, Parisi
nuk e harroi kurrë Pajtoren e vet: kodra mbi të cilën ndodhemi, vijon të quhet edhe
sot e kësaj dite Mali i Shën Zhënevievës. (15.02.2008 RV)