2012-01-02 18:56:51

Nigeri, ultimatum i Boko Haram të krishterëve. Imzot Kaigama i kundërvihet dhunës.


Kërcënime të reja të lëvizjes fanatike islamike Boko Haram kundër të krishterëve në Nigeri. Sipas ultimatumit të integralistëve, ndjekësit e Krishtit kanë vetëm tri ditë afat për t’u larguar nga veriu i vendit, me shumicë myslimane, me pasojë dënime tepër të rënda. Grupi radikal kritikoi edhe vendimin e presidentit Goodluck Jonathan për dekretimin e gjendjes së emergjencës në disa zona të Nigerisë si dhe për mbylljen e kufirit me Kamerunin, Çadin e Nigerin. Ndërkaq, Boko Haram e ka pranuar autorësinë e atentateve kundër të krishterëve Natën e Krishtlindjes.
Mbi situatën dramatike të të krishterëve, flet, në mikrofonin tonë, imzot Ignatius Ayau Kaigama:

Përgjigje: - Churches have been destroyed...
Kishat u shkatërruan, humbën edhe jetë, e nuk duket asnjë shenjë, që të na tregojë se kjo gjendje do të marrë fund, përderisa qeveria nuk do të ndërhyjë me dorë të hekurt. Nuk kemi pushuar kurrë s’u kujtuari të krishterëve të jenë të vetëdijshëm për sigurinë: kur shkojnë në Kishë duhet të jenë të vëmendshëm, të ruhen, e madje duhet të ruhen edhe kur janë në shtëpitë e tyre. Ne u kundërvihemi raprezaljeve, nuk duam t’i përgjigjemi së keqes me të keqe e mortit me mort. Vijojmë të predikojmë jetën, paqen, duke shpresuar se të gjithë ne, në Nigeri, myslimanë e të krishterë, do të jemi në gjendje të jetojmë e të punojmë së bashku. Ky është qëndrimi ynë: jo dhunës, jo raprezaljes, jo vdekjes. Duam të jetojmë në paqe.
Pyetje: - Janë shumë të krishterët, që po ikin nga Veriu?

Përgjigje: - Yes, in the core of the Northern States where…
Po, në zemër të Veriut të Shtetit, ku shumica është myslimane, shumë të krishterë e ndjejnë veten të papranuar, të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Prandaj nuk është për t’u çuditur në se kanë vendosur të kërkojnë strehë në zona më të sigurta.

Pyetje: - Dëshironi t’i transmetoni botës ndonjë mesazh të veçantë?

Përgjigje: - We just continue to appeal …Ne vijojmë të bëjmë thirrje për t’u treguar të arsyeshëm, për të folur, për t’u sqaruar. E besoj se kjo është e mundur. Është plotësisht e mundur që në këtë vend të krishterët e myslimanët të arsyetojnë së bashku. E dimë edhe se ka forca të tjera, pas të ashtuquajturve Boko Haram, por në këtë çast nuk e dimë akoma se kush janë anëtarët e Boko Haram e çfarë duan. Ka forca të fshehta, që fshihen pas tyre: në Nigeri ose jashtë saj. Kush janë? E pse duan të na dëbojnë nga toka jonë? Këtë duam të dimë.







All the contents on this site are copyrighted ©.